
Agjencia për Hulumtim të Tregut dhe Opinionit Publik “M-Prospekt” ka realizuar një anketë që ka të bëjë me zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, ku në anketë janë të përfshirë mbi 1 mijë qytetarë shqiptarë, të moshës mbi 18 vjeç.
Nga rezultatet në anketës del se BDI-ja në këto zgjedhje mund të jetë fituese absolute e tyre. Por ka edhe nga ata që nuk janë përcaktuar fare se cilës parti do t’ia jap votën.
“Pjesa më e madhe e të anketuarve në nivel nacional, të cilët do të votojnë, e kanë zgjedhur BDI-në me 12.7%. Në ngritje është Lëvizja Besa me 5.9%, e cila është radhitur e dyta, ndërsa pas saj, pra e treta, vjen PDSH-ja me 4.0%. Megjithatë, ajo që bie në sy janë të anketuarit që ende nuk e dinë se për kë do të votojnë (30%), si dhe ata që nuk do të votojnë për asnjë parti (22.9%)”, thuhet në njoftimin e “M-Prospekt”.
“Gjysma e të anketuarve ose 50.3% do të votonin për parti pa politikanë të korruptuar, ndërsa pak më shumë se një e katërta e tyre (29.7%) do të votonin për persona të rinj me arsimim të lartë në kuadër të partive ekzistuese”, thuhet në këtë komunikatë.
Parlamenti I Maqedonisë është shpërbërë ditë më parë pas vendimit të shumicës parlamentare, të përbërë nga VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Vendi pritet të mbajë zgjedhje 5 qershor./Insajderi.com