
Një dramë psikologjike e cila trajton luftën mes politikës dhe dashurisë, mes ndërgjegjes dhe ambicies, një dramë sociale e cila i përshtatet shumë mirë petkut tonë social e politik, vjen nëpërmjet shfaqjes “Një burrë mes dy grash”, tekst ky i Erion Papagjonit e me regji të Ilirjan Himajt.
Kjo shfaqje e Teatrit Kombëtar të Kosovës premierën e pati më 31 tetor të vitit 2015-të, ndërsa gjerë më tani në secilën reprizë të saj skena e vogël e TKK-ës, ishte e mbushur plotë.
E pikërisht kjo është arsyeja pse Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka vendosur që kjo shfaqje të qëndroj në repertor të teatrit edhe për një vit të tërë.
Një gjë të tillë e ka treguar për KultPlus, vetë regjisori Himaj.
“Shfaqja do të jetë edhe për një vit në repertor të TKK-ës, i është vazhduar kontrata nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni, meqë ka pas shumë shikueshmëri e poashtu ka pas kërkesa edhe nga shikuesit”, tha Himaj.
Në këtë shfaqje luajnë aktorët si: Albulena Kryeziu, Agron Shala dhe May-Linda Kosumovic. Rikujtojmë se “Një burrë mes dy grash”, është në repertor që nga viti 2015-të e do të vazhdoj të qëndroj deri në vitin 2018-të.