Zahir Tanin të hënën reagoi ndaj Daut Haradinajt për deklaratën e deputetit të AAK-së ku kërcënonte “me pastrim etnik të serbëve”. Shefi i UNMIK-ut e cilësoi “të papranueshëm” kërcënimin e Haradinajt ndaj serbëve të Kosovës.
“Deklarata e bërë këtë fundjavë nga një parlamentar i lartë i Kosovës është e papranueshme dhe arsye për shqetësim serioz”, ka thënë Tanin, i cili ka kërkuar hetim për deklaratën e Daut Haradinajt.
E një ditë më vonë, të martën, Tanin vizitoi zëvendësdrejtorin e zyrës për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Ljubomir Mariq.
Siç raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug, Mariq dhe Tanin kanë rënë dakord mbi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në Kosovë.
Mariq kërkoi nga shefi i UNMIK-ut që të parandalohen konfliktet ndër-etnike në Kosovë.
Takimi ndërmjet ish-ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës dhe shefit të UNMIK-ut u zhvillua në byronë e zyrës për Kosovën e qeverisë serbe në Mitrovicën e Veriut. /Insajderi.com