×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Dita e shëndetit mendor me ekspozitë për paragjykimet

    Insajderi
    10 October 2016 - 18:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    E titulluar “Fotografia e 21-të” dhe e kuruar nga regjisorja Hana Qena, ekspozita e fotografisë  që hapet sonte në Galerinë “Kalo” në Tiranë, ka për qëllim që të qes në sipërfaqe paragjykimet e shoqërisë civile ndaj personave me probleme me shëndetin mendor.

    “Kjo ekspozitë me 20 portrete bardh e zi është konceptuar si një mundësi për të njohur atë që nuk dimë; për të zbuluar veten, stigmën dhe paragjykimet tona mbi shëndetin mendor. Portretizimi i tipareve të individëve tenton të na sjellë më afër ngjashmërive sesa ndryshimeve që ndajmë të gjithë së bashku”, thuhet në njoftimin e Qendrës Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike.

    Kjo qendër edhe prezanton ekspozitën me fotografi bardhezi nga Ted Misha, që vijnë për publikun shqiptar për herë të parë në këtë format.

    Ekspozita do të jetë e hapur deri me 19 tetor dhe sipas organizatorëve ekspozita ka për qëllim ndërgjegjësimin publik për shëndetin mendor përmes dy zhanreve të artit pamor.

    Ky është koncepti i ekspozitës:

    “View from the Window at Le Gras” është fotografia e parë e shkrepur në 1826 nga francezi Nicephore Niepce. Asokohe, fotografia përdorej ekskluzivisht për qëllime estetike, dhe fare pak dihej mbi rëndësinë e fotografisë në zhvillimin social dhe kulturor të shoqërisë. Ndër vite, fotografia u shndërrua në një mjet të fuqishëm komunikimi. 
    Ndryshe nga orientimi i hershëm i fotografëve për të fragmentizuar momentin dhe kthyer imazhin e përzgjedhur në nje imazh te përjetshëm, sot, vëmendja e tyre është zhvendosur në mbërthimin e imazhit në hapësirë si edhe në emocionin e subjektit. Përcjellja e emocioneve nëpërmjet fotografisë u kthye në prej sfidave më të mëdha të artit të fotografisë. 
    Gjatë shekullit të 20-të, fotografia u përdor si një mjet sensibilizimi ndaj çështjeve me rëndësi publike, përfshirë dhe njerëzit në nevojë. Prania e fotografisë për vlerat artistike si dhe ato të dokumentimit i ka shërbyer zbulimit të së vërtetës së fshehur nga sytë e shoqërisë. 
    Fuqia e imazhit të ngrirë bën të mundur që ne të pozicionojmë veten në perspektivën e atyre që shohim në imazh dhe si rrjedhojë, t’i kuptojmë ata më mire, por edhe të reflektojmë mbi fenomenin dhe veten. 
    Individët të cilët vuajnë nga probleme të shëndetit mendor kanë qenë dhe janë në fokus të objektivit të aparatit fotografik duke përcjellë jo vetëm realitetin që shohim cdo ditë, por një realitet të një dimensioni tjetër.

    Kjo ekspozitë me 20 portrete bardh e zi është konceptuar si një mundësi për të njohur atë që nuk dimë; për të zbuluar veten, stigmën dhe paragjykimet tona mbi shëndetin mendor. Portretizimi i tipareve të individëve tenton të na sjellë më afër ngjashmërive sesa ndryshimeve që ndajmë të gjithë sëbashku.

    Çdo vit, rreth 1/3 e popullsisë së Europës vuan nga probleme të shëndetit mendor, ku mbizotërojnë depresioni dhe ankthi. Stigma e shoqërisë ndaj këtyre problemeve i largon individët nga kujdesi për shëndetin mendor, parandalimi dhe trajtimi i problemeve që lidhen me të. Vetëm 50% e atyre që vuajnë kërkojnë ndihmë profesionale.

    Dy fjalë për organizatën: Puna e Qendrës Shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Psikoterapeutike bazohet në bindjen se mirëqenia mendore, si një element themelor i mirëqenies së përgjithshme individuale, meriton vëmendje dhe përkushtim të veçantë. Për këtë arsye, synimi kryesor i punës së Qendrës është promovimi i mirëqenies mendore nëpërmjet ndërgjegjësimit të individëve për t’u çliruar nga frikërat dhe stigma ndaj marrjes së shërbimeve psikologjike dhe psikoterapeutike, si dhe përmirësimit të shërbimeve psikologjike dhe psikoterapeutike si dhe të cilësisë së tyre.

    Këshilltare projekti: Dr. Ledia Lazëri
    Drejtuese e projektit: Anxhela Gramo
    Concept & psikoterapiste: Olta Tuholi
    Kuratore: Hana Qena
    Art Director & Fotograf: Ted Misha
    Bashkëpunëtore: Psikologe Joana Velaj, Artemisa Lamaj dhe Ina Islami. 
    Falenderojmë: Dr. Arjana Rreli, Dr. Kujtim Llapi, Dr. Ejona Zilja, Olson Lamaj, Eljesa Harapi dhe Miriam Koliqi.

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark