Një goditje për Kosovën - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Një goditje për Kosovën

    Insajderi
    05 November 2021 - 21:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Aktivistët politikë e nisën dhe u burgosën. Studentët e vazhduan dhe dolën para tankeve. Populli lidhi krahët dhe protestoi. Qëlloheshin me armë. Shtypeshin me dhunë. Por, turmat veç sa rriteshin. Pakënaqësitë shpërthyen. Lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës si shpresë e re, të cilën në Hagë tani po na e quajnë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.

    Ky do të mund të ishte një rrëfim i shpejtë për fatin dhe fatkeqësinë tonë si popull deri te liria dhe pavarësia…

    Shkruan: Adil Behramaj

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi me bashkëluftëtarët e tyre në Hagë e në Kosovë ishin vënë në ballë të luftës kundër padrejtësive shumëvjeçare. Megjithatë, tani vetë ata po përballen me një padrejtësi të re. Dilema shekullore e Shën Agustinit se çfarë është sovraniteti, në mungesë të drejtësisë, përveçse grabitje e organizuar, mori edhe më shumë kuptim më 5 nëntor 2020. Që të katërtit u morën në mënyrë të organizuar dhe u dërguan në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

    Ata që e promovojnë “Gjykatën e ndërgjegjes”, në fillim e kishin një mënyrë shumë të thjeshtë të të kuptuarit të drejtësisë: njerëzve duhet t’u jepet ajo që e meritojnë. Megjithatë, vështirësia e vërtetë u fillonte me të kuptuarit se kush meritonte çfarë dhe pse?

    Edhe në Kosovë është gati e kuptueshme për të gjithë që Gjykata Speciale ishte një mashtrim i specializuar, të cilën nuk e meritonim. Ishte e kuptueshme besoj edhe për ata që përkohësisht janë në Hagë, mirëpo përballë interesit shtetëror nuk mërziteshin për fatin personal. Por, tash kur edhe arsyeja e vetë ekzistencës së kësaj gjykate është e komprometuar, e shtrembëruar dhe po abuzohet me të, na ka mbetur ta kuptojmë edhe PSE-në e saj.

    E nisën si hetim për t’i zbardhur pretendimet e Dick Martyt dhe përfunduan pa asnjë pretendim të tij në aktakuzën ndaj krerëve të UÇK-së.

    Kosova nuk kishte si të mos pajtohej që të hetoheshin ato pretendime dhe bashkësia ndërkombëtare nuk kishte si të mos i mbështeste hetimet rreth tyre. Por, vetë Gjykata Speciale tash po e konfirmon që raporti i Dick Martyt ishte një mashtrim, duke mos e përfshirë asnjë pretendim të tij. Gjithashtu edhe vetë procesi i administruar nga kjo gjykatë, që nga publikimi i njoftimit për dorëzimin e aktakuzës deri te mosdorëzimi i saj as pas një viti, po dëshmohet çdoherë e më shumë që është vazhdimësi e një mashtrimi të specializuar.

    Hashim Thaçin e kishin me shumë nguti ta dërgonin në Hagë dhe të mos e linin ta përfundonte as mandatin e presidentit. Por, sot, një vit pas, as hetimet ende nuk i kanë mbyllur dhe as aktakuzën e plotë ende nuk ia kanë dorëzuar. Ky është absurditet në vete dhe nuk ka lidhje me drejtësinë vendore dhe atë ndërkombëtare.

    E hoqën nga skena politike një president të zgjedhur, pa i mbyllur as hetimet, pa qenë të gatshëm as për gjykim dhe shkoi një vit duke i mbajtur që të katërtit në paraburgim. Aq jobindëse i kanë arsyetimet, saqë po e trajtojnë me rrezik ikjeje një ish-kryeministër e ish-president, që ka hequr dorë edhe nga imuniteti dhe pozita si president për t’u përballur me këtë “drejtësi”. Po shohin mundësi të pengimit të drejtësisë prej tyre kur as në kapacitetet me të larta shtetërore si kryeministër e president apo si ish-kryeparlamentarë, si njerëzit më të pushtetshëm në Kosovë, asnjëherë nuk penguan, por gjithmonë bashkëpunuan, duke e ditur që vetë ishin shënjestrat kryesore.

    Për më tepër, Hashim Thaçi si shënjestër kryesore e Dick Martyt ishte edhe njeriu që u pajtua të themelohej kjo gjykatë, sepse në çfarëdo alternative, Kosova patjetër do të duhej të ballafaqohej me raportin famëkeq të tij. Megjithatë, as pas dhjetë vjetësh hetime, asnjë fjalë për trafikimin e organeve nuk është përfshirë në asnjërën prej atyre aktakuzave të përgjithësuara që i ka lëshuar Gjykata Speciale.

    Paraburgimi i tyre po vazhdon të arsyetohet me argumente të dobëta, me shqetësime të përgjithësuara dhe të hiperbolizuara për rrezikun e ikjes dhe frikësimit të mundshëm të dëshmitarëve kur paradoksalisht, sipas mbrojtjes, as emrat e dëshmitarëve ende nuk dihen.

    Kjo ishte baza për të cilën ishin pajtuar Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare që të hetohej dhe gjykohej, sepse këto ishin edhe pretendimet e Dick Martyt. Ndërsa, në vend të përfshirjes së pretendimeve të tij, Gjykata Speciale përfundoi në disa aktakuza të dobëta dhe të pabazuara ku inkriminohet Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për krime të supozuara që nuk u ndoqën as nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe nuk kanë lidhje as me raportin e Dick Martyt.

    Kjo konfirmon edhe njëherë që Dick Marty mashtroi në Këshillin e Evropës dhe Kosova i vuajti padrejtësisht pasojat tepër të dëmshme të raportit të tij.

    Përndryshe, është e paimagjinueshme që në terrene të tilla, kaq të dobëta, një gjykatë ta mbështeste paraburgimin e pacaktuar në cilindo prej shteteve që e financojnë Gjykatën Speciale. Por, ironikisht, kjo po ndodh në shtëpinë e drejtësisë midis Hage vetëm për ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe ish-udhëheqësit e shtetit të Kosovës. Është e paimagjinueshme që kritikat e një presidenti për padrejtësitë ndaj Kosovës, në cilindo prej shteteve që e financojnë këtë gjykatë, të interpretohen si pengim i drejtësisë. Por, ato u interpretuan kështu në rastin e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës për ta arsyetuar mbajtjen e tij në paraburgim.

    Përkundër që Gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka lejuar prokurorin të redaktojë një pjesë të madhe të aktakuzës, u bën një vit në paraburgim dhe ata ende nuk janë të informuar saktësisht se cilat akuza konkrete rëndojnë mbi ta. Çdo kund në botë, qëllimi i aktakuzës është që të informohet edhe i akuzuari për akuzat ndaj tij. Por, edhe pas një viti në paraburgim, Gjykata Speciale ende po i mban të fshehura akuzat konkrete ndaj tyre. Çdo kund në botë sistemi i drejtësisë është i ndarë në disa shtylla dhe respektohet njëfarë Kodi i Sjelljes Profesionale, por në Gjykatën Speciale prokurorët dhe gjyqtarët edhe koordinohen pa prezencën e palës mbrojtëse. Çdo kund në botë, Avokati i Popullit mbron interesat e të akuzuarve, ndërsa në rastin e Gjykatës Speciale edhe ai i mbron interesat e prokurorisë dhe të gjykatës.

    Bashkësia ndërkombëtare e detyroi Kosovën ta themelonte Gjykatën Speciale për t’i adresuar akuzat e rreme të raportit të Dick Martyt. Por, kur ata nuk ishin në gjendje të gjenin prova për t’i mbështetur ato pretendime, Zyra e Prokurorit të Specializuar doli me pretendime të reja për ta justifikuar mashtrimin e tyre. Një mashtrim i tillë nuk do të ishte toleruar në asnjë shtet të Bashkimit Evropian, por po tolerohet gjithmonë kur viktima të mashtrimit janë shqiptarët.

    Shqiptarët janë të vetmit në rajon që nuk i janë shmangur asnjëherë drejtësisë ndërkombëtare. Jemi të vetmit në tërë Ballkanin Perëndimor që jemi lënë edhe të izoluar, të mashtruar dhe të gjykuar pa i përfillur as të drejtat e të akuzuarve dhe pa i vrarë as ndërgjegjja evropiane.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre që po mbahen në Hagë po i mungojnë Kosovës. Por, pas daljes së parë publike të UÇK-së në nëntor, dy dekada pas përfundimit të luftës, kjo betejë e tyre e re në të ardhmen do të kujtohet si beteja e fundit e nëntorit të lavdishëm për mbrojtjen e luftës së drejtë dhe të pastër të UÇK-së.

    Ata as nuk mposhtën e as nuk thyhen dhe ish-gjenerali amerikan, Wesley Clark, i përshkroi më së miri në ditët e kaluara.

    Kjo Gjykatë Speciale është sfidë që do të kalohet brenda pak vitesh. Dikush edhe mund ta shijojë e të kënaqet me të, por duhet ta dijë që pjesën tjetër të jetës mund ta kalojë i turpëruar.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark