
Një person ka mbetur i vrarë dhe tre të tjerë të plagosur në qendër të Rrëshenit të Shqipërisë, përballë stacionit të policisë.
Ngjarja ka ndodhur sot paradite, raporton Tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.
59-vjeçari që mbeti i vdekur ishte i ulur bashkë me të plagosurit para se 2 persona të maskuar të gjuanin me kallashnikov në drejtim të tyre.
Viktimat u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa atentati zgjati vetëm pak sekonda.
Dyshohet se një veturë e djegur, e cila u gjet në fshatin Gëziq të Mirditës, është përdorur nga autorët.
Ndërkaq, mediat në Shqipëri kanë njoftuar se Martin Marku (Bardhi) është i vrari.
Siç bëri të ditur për mediat, drejtori i Policisë në Lezhë, Alfred Elezi, Marku ndodhej në lokalin e tij në momentin kur dy persona të maskuar hapën zjarr ndaj tij.
Për pasojë, të plagosur mbetën edhe tre persona të tjerë që ndodheshin në tavolinë me viktimën. Pas ekzekutimit të Markut, dy personat e maskuar janë larguar nga vendi i ngjarjes me një fuoristradë.
Sa i përket motiveve të ngjarjes, Elezi deklaroi para mediave se fisi Bardhi ka qenë në konflikte me fise të tjera, kjo dihej në zonë.
Sa i përket të plagosurve, ata janë aktualisht nën kujdesin e mjekëve. Për gjetjen e dorasëve janë angazhuar forca të shumta policie.