Nga Valmir Elezi
Sot, të jetosh në Ukrainë duhet të ndjesh shumë pasiguri. Kjo është më e pakta që mund të thuhet për një popull që nuk e ka të largët një histori rrënqethëse: Urinë e Madhe të viteve 30’të të shekullit të kaluar.
Fatkeqësisht, historitë mes fqinjëve, në të shumtën e herave, janë të mbushura me luftëra e konflikte të natyrave të ndryshme.
Është e frikshme të kujtosh Holodomorin.
Holodomor mori emrin zija e bukës që mori jetën e miliona njerëzve, në periudhën 1932-33, pas kolektivzimit të bujqësisë kundër vullnetit të popullatës rurale në Ukrainë dhe që ishte i planifikuar nga regjimi i Stalinit.
Mund ta dëgjoni në YouTube se si Denez Prigent dhe Karen Matheson i këndojnë në muzikën breton me shumë dhembshuri kësaj tragjedie:
Për udhëtarin që kërkon
Rrugën për në Kiev, i thoni kështu:
“Përcjelli korbat në qiell,
Ata do t’iu dërgojnë pa problem”.
Dhe në Kiev ai do të arrijë
Zemra do t’i thyhet.
Njerëz të vdekur nëpër rrugë,
Përgjatë saj, me qindra.
Kjo është një histori që e shoqëron edhe sot Ukrainën dhe Rusinë postkomuniste. Në vitin 2006, Parlamenti i Ukrainës e klasifikoi Holodomorin si gjenocid, ndërsa dy vite më vonë Parlamenti Europian nxori një rezolutë përmes së cilës njeh Holodomorin si një krim të tmerrshëm kundër popullit ukrainas dhe kundër njerëzimit. Por, për dallim nga paraardhësi i tij që besonte se Holodomori ishte një gjenocid i kryer kundër popullit ukrainas, në vitin 2010 pas zgjedhjes President, Viktor Yanukovich tha në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës se ajo ishte një tragjedi që preku të gjithë popujt që në atë kohë jetonin në Bashkimin Sovjetik.
Rusia gjithmonë ka këmbëngulur se uria ishte shkaktuar nga thatësia, e cila kishte sjellë uri edhe në pjesë të ndryshme të Bashkimit Sovjetik dhe e ka akuzuar Ukrainën se këtë tragjedi e përdor për shkaqe politike. Yanukovich, që mendon si Moska, nuk është më president që nga viti 2014 dhe iku në Rusi për shkak të protestave që shkaktoi vendimi i tij për t’u tërhequr nga një marrëveshje e rëndësishme me BE-në dhe për të përmirësuar lidhjet tregtare me Moskën.
Rusia ka qenë prezente në zhvillimet e këtij vendi dhe rasti Yanukovich është një tregues kaq i hapur se deri ku ka arritur ky ndikim. Ajo është prezente në këtë vend duke mbajtur të ndezur një konflikt në rajonin e Donjetskut në Ukrainë. Pasuesi i Yanukovich, Petro Poroshenko disa muaj pasi mori detyrën e presidentit dhe derisa po vendoste kurora lulesh në memorialin përkujtues të Holodomorit tha se lufta aktuale në pjesën lindore të këtij shteti është vazhdim i gjenocidit perandorak kundër popullit të Ukrainës.
Situata është bërë shumë më serioze që nga ajo kohë dhe bota po mban frymën. Ushtria ruse është në kufi me Ukrainën, me qëllimin për ta pushtuar atë. Qeveria britanike e ka akuzuar Rusinë se po kërkon ta zëvendësojë qeverinë e Ukrainës me një administratë pro-Moskës, duke identifikuar një aleat të ish-presidentit ukrainas, Yanukovych, si kandidat të mundshëm.
Kjo të kthen mbrapa në një kohë jo shumë të largët, atë të Bashkimit Sovjetik, që ushtronte një kërcënim të vazhdueshëm mbi Perëndimin. Dominimi sovjetik në vendet e Europës Lindore nuk mund të shihet ndaras nga sovjetizimi i tyre, i cili kishte për qëllim konsolidimin e zonës së ndikimit sovjetik duke imponuar sisteme politike me një prani të fortë të partive komuniste dhe besnike të Bashkimit Sovjetik.
Historia na tregon se imponimi i modelit sovjetik për këto vende ishte shumë tronditës.
Kur flasim për ndikimin rus në rritje nuk duhet ta shohim atë vetëm në kufijtë e shteteve me të cilat kufizohet gjeografikisht kjo federatë dhe që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Ai paraqitet edhe më larg, me qëllime për të penguar planet perëndimore për zgjerim politik dhe aleanca ushtarake.
Këto qëllime nuk janë të fshehura sidomos në Ballkanin Perëndimor.
Pra, në Ukrainë, që shënon një pjesë të madhe të kufirit lindor të Bashkimit Europian, ata mbajnë të ndezur një konflikt, ndërsa më shumë se 1 mijë kilometra më poshtë, në Ballkanin Perëndimor, të painkuadruar në BE, është porta tjetër e kontinentit të vjetër në të cilën po trokasin problemet e nxitura edhe nga ndikimi rus.
Serbia është aleati shekullor i Rusisë. Përveç mbështetjes së vazhdueshme politike në arenën ndërkombëtare, viteve të fundit është intesifikuar edhe mbështetja ushtarake, e cila shihet me shumë shqetësim nga shtetet tjera në rajon. Edhe gjysma e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, pra Republika Serbe si një nga dy entitetet e saj, e kërkon mbështetjen ruse. Rusia ka qëndruar afërt me liderët e Republikës Serbe të cilët vazhdimisht kanë shfaqur hapur kundërshtimet e tyre me zyrtarët perëndimorë. Para disa vitesh, Rusia kishte mbështetur në mënyrë të hapur një referendum të organizuar atje për ta shënuar 9 Janarin si Ditën e Republikës Serbe. Referendumi ishte kundërshtuar në mënyrë të përsëritur nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja.
Në Ballkanin Perëndimor, të painkuadruar në BE, shqiptarët shfaqin orientim të qartë e të palëkundur pro-perëmdimor në politikën e jashtme. Kjo nuk vlen vetëm për dy shtetet, Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për shtrirjen e tyre në shtete tjera në këtë rajon gjeografik.
Pavarësisht pozicionit gjeografik dhe përpjekjeve, shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të thuhet se janë të pafuqishëm për nga ndikimi i tyre i drejtpërdrejt në politikën dhe vendimmarrjen e shtetit të Serbisë, sepse aktualisht kanë vetëm një deputet në Parlamentin me 250 ulëse. Kjo ndodhë për shkak të vet shtetit të Serbisë që është treguar diskriminues dhe kjo dëshmohet përmes raporteve të shumta ndërkombëtare. Për ta, Tirana dhe Prishtina janë orientuese të sjelljes së tyre politike.
E, në Mal të Zi shqiptarët janë treguar faktor kyç në pavarësimin e këtij shteti, që më 2006 u shkëput nga Serbia përmes referendumit. Sipas rekomandimit të Bashkimit Europian, me të cilin ishte pajtuar parlamenti malazez, që referendumi të kishte sukses duhet të arrihej mbështetja e 55% të votuesve që do të merrnin pjesë. Rezultati 55.4% ishte bërë i mundur vetëm përmes votës së shqiptarëve në këtë shtet, i cili tashmë është pjesë e aleancës ushtarake perëndimore, NATO-s.
Në Maqedoni, shqiptarët kanë fuqinë e orientimit strategjik të shtetit për shkak të rëndesës në peshoren politike dhe institucionale të këtij vendi. Si shtetformues, jeta politike e këtij vendi përcaktohet dhe varet edhe prej tyre.
Aktualisht Kosova nuk është e anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi do të pengohej nga Rusia përmes vetos në Këshillin e Sigurimit. Marrëveshja përfundimtare që pritet të ndodhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rezultat i dialogut të nisur para 11 viteve në Bruksel, mund ta përmbyllë këtë temë duke i garantuar ulësen përkrahë shteteve tjera dhe njohjen e ndërsjelltë.
Faza përfundimtare e dialogut është një mundësi e madhe për Bashkimin Europian, i cili ka përjetuar zgjerimin e fundit para më shumë se një dekade, që të tregojë kufijtë e tij dhe më shumë rolin në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, kjo mund të shërbejë edhe si një njohje për rolin gjeopolitik të shqiptarëve në rajon. Deri më tani kjo nuk është vërejtur, por këto mund të arrihen vetëm përmes Shteteve të Bashkuara, roli historik i së cilave mbetet i pazëvendësueshëm për shqiptarët, rajonin tonë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Çuditërisht, BE nuk ka nguruar që të tregojë hapur se parapëlqen që roli prijës i këtij procesi të mos i merret nga Shtetet e Bashkuara. Në mungesë të unitetit në Perëndim, mund të krijohen rrethana që i shkojnë në favor përpjekjeve ruse.
Pas vitit 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shteteve kryesore europiane, marrëveshja me Serbinë do të ketë ndikimin më të madh për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vetë Bashkimin Europian.
Autori ka mbaruar studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës.