
Një grua është mbajtur peng brenda ambienteve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nga një burrë.
Muhamet Reqani, komandant i batalionit të zjarrfikësve, ka konfirmuar për Insajderi se i dyshuari ka kërcënuar se do të hidhej nga kati i 6-të i Klinikës Interne.
Reqani shtoi se operacioni i tyre ka rezultuar i suksesshëm dhe dy të personat janë marrë nga policia.
“Sot, në orën 7:40, na kanë njoftuar për një rast, ku një person ka tentuar të hidhet prej Klinikës së Interneve, kati i 6. Na ka njoftuar policia dhe jemi nisur për asistencë. I kemi ofruar kapacitetet tona, ndihmuam për hapjen e dritareve me ato shkallët e zjarrfikësve, e hapëm derën në anën tjetër, dhe pjesa tjetër ka qenë punë e policisë. Dy persona janë marrë nga policia”, tha ai për Insajderi.
“Burri ka qenë ai i cili ka kërcënuar se do të hidhej, dhe ka mbajtur gruan si peng”, shtoi ai.
Për rastin Insajderi ka kërkuar informacion edhe nga Policia e Kosovës e SHSKUK-së, por të njëjtit deri tani nuk janë përgjigjur.