Ministri i Punëve të Brendshme të Spanjës, Juan Ignacio Zoido ka deklaruar se 39-vjeçari me shtetësi spanjolle është zhdukur pas përballjes me një nga sulmuesit në Londër.
Zoido theksoi se Ignacio Echeverria, punonjës i një banke në Londër, për herë të fundit është parë në afërsi të tregut Borough, ku ndodhi sulmi. Ministri spanjoll ka thënë se në bazë të deklaratave të miqve të tij, Echeverria i është kundërvënë një mashkulli i cili po sulmonte një grua me mjet të fortë.
Ministri spanjoll ka kërkuar nga anëtarët e familjes të spanjollit të zhdukur që të qëndrojnë të qetë, sepse shumë të plagosur të tjerë të sulmit ende nuk janë identifikuar.
Ministria e Jashtme spanjolle ka njoftuar se një tjetër shtetas i tyre është plagosur në sulm, por që nuk është në rrezik jete, raporton AA.
Sulmi ndodhi të shtunën vonë, më 3 qershor, kur sulmuesit me furgon kanë përplasur këmbësorët në urën e Londrës, dhe duke dalë nga furgoni me thika kanë sulmuar njerëzit në tregun Borough, ku policia vrau që të tre sulmuesit.
Përveç tre sulmuesve, jetën e kanë humbur edhe shtatë persona të tjerë, ndërsa 48 janë plagosur.