×
  • Biznes
  • Biznes / Teknologji

    Një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare, Forbes promovon platformën e krijuar në Kosovë

    Insajderi
    10 May 2022 - 16:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Erudera, një platformë globale që mundëson kërkimin e universiteteve dhe programeve akademike për studentet në mbarë botën, ka marrë vëmendjen e revistes prestigjioze amerikane “Forbes”.

    Me rastin e lansimit, revista Forbes i ka dedikuar një shkrim platformes Erudera, një platformë globale, e krijuar nga një ekip në Kosovë, që mundëson kërkimin më të lehtë të universiteteve dhe programeve akademike përmes inteligjencës artificiale. 

    Platforma është një risi në fushën e edukimit të lartë, suksesi i së cilës tashmë po dëshmohet ndërkombëtarisht duke iu bashkuar listës së platformave të suksesshme për të cilat shkruajnë mediet ndërkombëtare.  

    Në një intervistë për Forbes, Gent Ukëhajdaraj, CEO në Erudera, tregoi misionin e kësaj platforme.

    “Misioni ynë me Erudera është të arrijmë që në fillim të fazës së kërkimit, studentët t’i bashkojmë me universitetin e duhur duke përdorur platformën tonë dhe t’i udhëzojmë ata gjatë këtij rrugëtimi deri në fund. Dua që të mendoni rreth kësaj për një sekondë: një adoleshent me një sasi të kufizuar informacionesh është gati të marrë një vendim që do të përcaktojë pjesën tjetër të jetës së tij/saj. Ne duam t’i ndihmojmë ata të bëjnë zgjedhjen e duhur.”

    Erudera u prezantua për herë të parë në MatchIN Investor Forum në Tiranë, më 29 prill, organizuar nga Swiss Entrepreneurship Program. Në këtë organizim morën pjesë 20 startup-et më të mira nga Ballkani Perëndimor si dhe mbi 50 investitorë nga e gjithë bota. Erudera ishte një ndër idetë që mori më së shumti vëmendje në këtë ngjarje.

    CTO në Erudera, Betim Drenica, tha për Forbes se ajo çka e veçon platformen Erudera është përdorimi i inteligjences artificiale.

    “Ne jemi duke përdorur teknologjinë më të fundit në Erudera dhe sapo të kemi më shumë përdorues dhe të dhëna, do të fillojmë të shohim magjinë e vërtetë të platformës. Është e mahnitshme se çfarë mund të arrihet me inteligjencën artificiale dhe machine learning nëse keni komponentët kryesorë, e që janë të dhënat. E ardhmja është e ndritshme për studentët, universitetet dhe gjithësecilin në arsimin e lartë.” 

    Sipas Donjeta Pllana, zyrtare për komunikim në Erudera, deri më tash, më shumë se 2,000 studentë janë regjistruar në platformë për të marrë informacione për të paktën një program dhe synimi është të shtohen 300 përdorues të ri brenda një dite përgjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

    Erudera ofron mbi 23,000 profile universitetesh dhe rreth 64,000 programe individuale akademike. Studentët që regjistrohen në platformë marrin rekomandime të personalizuara bazuar në profilin e tyre individual, arritjet akademike, perspektivat e karrierës dhe preferencat personale, me ç’rast mund të personalizojnë kërkimin e tyre për opsionet e mundshme në edukimin postsekondar.

    Sipas të dhënave të fundit, më shumë se gjashtë milionë studentë në mbarë botën studiojnë jashtë vendit, por edhe shumë universitete janë vazhdimisht në kërkim të studentëve ndërkombëtarë, veçanërisht pas rënies së numrit të regjistrimeve si pasojë e pandemisë.

    Erudera është themeluar nga dy kompani me bazë në Prishtinë, Inquero LLC, lider në publikimin e informacioneve rreth edukimit të lartë me mbi 9 milionë përdorues, si dhe Quantix LLC, kompani e zhvillimit softuerik e specializuar në ofrimin e zgjidhjeve përmes Inteligjences Artificiale (AI) dhe Machine Learning.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark