Insajderi merr vesh që i arrestuari i sotëm lidhur me laboratorin e drogës në Pejë, është Albano Salihu.
Zëvëndëskryeprokurori, Ersan Qavolli që ka hetuar këtë rast të madh, tashmë ka bërë kërkesë për ekstradimin e tij në Kosovë, merr vesh Insajderi.
Dy të dyshuarit e tjerë që u arrestuan lidhur me laboratorin e drogës në Pejë janë Mirjon Qokli dhe Engjelush Ibrahimi.
Dy shtetasit shqiptarë, tashmë gjenden në paraburgim.
Sipas dosjes, të cilën e ka parë Insajderi, grupi nga Shqipëria me atë nga Kosova përgatisin dy parcela me sipërfaqe të madhe, ku në parcelën e parë mbjellin 1850 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, si dhe në parcelën e dytë një mijë bimë. Në total, pesah e tyre është më shumë se një ton.
Vlera totale e drogës ishte pesë milionë euro.
“…Ku të pandehurit fillojnë tërheqjen e bimëve dhe tharjen e tyre, e më pas i dërgonin në parcelën e tretë ku bënin prerjen e tyre por me datën 27.09.2024, gjatë ekzekutimit të urdhër kontrollit hetohen nga Policia e Kosovës, të cilët në vend ngjarje gjejnë 2850 bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Po ashtu narkotik të gaqëm dhe duke përpunuar gjejnë dhe sekuestrojnë në parcelën e tretë 133.95kg, ndërsa në parcelën e parë edhe rreth 400kg dhe narkotik tjetër, me sasi të përgjithshme për më tepër se 1035kg e 712gr, të cilën e kishin për shitje”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Prokurori tashmë i njohur për shkatërrimin e plantacioneve të drogës, Ersan Qavolli kishte kryer me sukses operacionin e tretë për këtë vit.
Ai duke u koordinuar me policinë e organet e tjera të rendit, kishte shkatërruar një plantacion të mariuhanës në Raushiq të Pejës, që kishte një pikë tjetër në Barilevë të Prishtinës.