Kanë kaluar një 1 vit që kur Kosova ndodhet nën masa ndëshkimore nga Bashkimi Evropian. Ende nuk ka një datë të saktë se do t’i largohen këto masa. Përderisa Qeveria e Kosovës po bën thirrje vazhdimisht që këto masa të largohen nga Bashkimi Evropian po insistojnë se duhet të përmbushën kërkesat. Për këtë po presin një raport nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Ky raport është në prag të finalizmit, ka thënë për Insajderin zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano.
Stano ka theksuar se BE është e gatshme t’i largojë masat vetëm në rast se janë përmbushur kërkesat e parashtruara ndaj Kosovës.
“Raporti nuk është dorëzuar ende në shtetet anëtare të BE-së dhe ne kurrë nuk kemi shpallur një datë se kur do të bëhet saktësisht kjo. Në konkluzionet e 12 dhjetorit 2023, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme rikujtoi se BE-ja është e gatshme të heqë masat ndaj Kosovës në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023”, tha zëdhënësi i BE-së për Insajderi.
“Këshilli (= Shtetet Anëtare të BE-së) ftoi Përfaqësuesin e Lartë Borrell që të prezantojë një raport mbi përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së. Raporti është ende duke u finalizuar dhe së shpejti do t’u paraqitet Shteteve Anëtare në Këshill”, potencoi Stano.
Ndërkohë, sipas raportimeve Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pritet që javën e ardhshme të dorëzojë raportin për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së ndaj saj.
Një raport të tillë nga shefi i diplomacisë së BE-së e kishin kërkuar vendet anëtare në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që Kosovës t’i hiqen masat.
Kurti ripërsërit, masat duhet të hiqen
Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të largohen.
“Si demokracia më e avancuar në rajon ne jemi të gatshëm tu përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Evropian. Kosova është e gatshme jo vetëm për statusin e kandidatit por edhe për të hap negociatat dhe kapitujt e shumë drejt anëtarësimit”, deklaroi Kurti në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian.
Kurti shtoi se javën e kaluar BE ka aprovuar Planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka dy qëllime të përshpejtojë zhvillimin socio-ekonomik të rajonit me BE dhe në këtë mënyrë të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE.
“Planin e zgjerimit e shohim si hap të duhur në drejtimin e duhur. Nuk duhet të ketë përfitime nga BE e as fonde pa i përqafuar vlerat e BE-së. Masat që janë ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos me Planin e rritjes dhe qëllimit të tij. Këto masa duhet të largohen”, tha i pari i ekzekutivit.
Masat e shqiptuara ndaj Kosovës
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.
Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.