Njëra nga gjashtë fizioterapeutët thotë se pas largimit nga puna, punëdhënësi i ofroi aneks-kontratë që të punojë si kuzhiniere - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Njëra nga gjashtë fizioterapeutët thotë se pas largimit nga puna, punëdhënësi i ofroi aneks-kontratë që të punojë si kuzhiniere

    Insajderi
    09 November 2021 - 18:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

     Paditësja Arbenita Berisha tha se pas largimit nga puna si fizioterapeute nga spitali “Onix SPA L.L.C, punëdhënësi Xhevdet Shoshi i kishte ofruar aneks-kontratë, që të punonte si kuzhiniere.

    Këtë deklarim, Berisha e bëri në seancën e së martës, ku përveç saj janë dëgjuar në cilësi të palëve paditësit Laurent Kabashi, Granit Ademaj, Faton Shatri, përfaqësuesi i të paditurës spitalit “Onix SPA L.L.C”, Xhevdet Shoshi, si dhe dëshmitarët Hyrije Blakaj e Erblin Mavraj.

    Në këtë kontest, paditësit Laurent Kabashi, Granit Ademaj, Faton Shatri, Berat Sylaj, Muhamet Zogaj dhe Arbenita Berisha po kërkojnë kompensim dëmi pas largimit nga puna tek e paditura spitali “Onix SPA L.L.C”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Paditësja, Arbenita Berisha në dëshminë e saj ka deklaruar se pas vendimit mbi ndërprerje të punës nga ana e punëdhënësit, Xhevdet Shoshi, i njëjti pas bisedës që ka pasur me kryesuesin e sindikatës, ka vendosur që paditësit t’i kthejë në vend të punës, por siç tha ajo nën kushte të reja nga ato që kishin para shkëputjes së kontratës.

    “Kur jemi kthyer në punë, jemi ftuar nga drejtori Xhevdet Shoshi për të nënshkruar një aneks-kontratë, me të cilën është ulur pozita jonë, ku mua si fizioterapeute më është ofruar të punoj si kuzhiniere”, tha ajo.

    Ndërsa, kolegëve të saj fizioterapeutë, ajo tha se u janë ofruar pozita si roje e të tjera pozita në kundërshtim me kualifikimin e tyre.

    Tutje paditësja Berisha, bëri të ditur se nga rrethanat e lartcekur nuk kanë pranuar të kthehen në vendin e punës, duke shtuar se pas kësaj kanë parashtruar ankesë tek Inspektorati i Punës në Pejë.

    “Pas këtij hapi, ne kemi pranuar vendimin e dytë me të cilin është shkëputur marrëdhënia e punës dhe me pastaj kemi bërë padi në këtë gjykatë lidhur me rastin”, ka thënë ajo.

    Kurse, paditësi tjetër, Laurent Kabashi në dëshminë e tij ka deklaruar se përfaqësuesi i të paditurës, Xhevdet Shoshi me rastin e largimit nga puna atij dhe paditësve të tjerë nuk u ka dhënë arsye konkrete për largimin e tyre nga puna.

    “Unë e ndiej vetën të diskriminuar pasi që vetëm 12 fizioterapeutë jemi larguar nga puna, e jo të gjithë që e kemi nënshkruar kërkesën për rritje të rrogave dhe përmirësim të kushteve të punës”, ka thënë Kabashi.

    Dëshmi ka dhënë edhe paditësi, Granit Ademaj, i cili ka bërë të ditur se pas largimit nga puna më 13 mars 2020 nga ana e përfaqësuesit të paditurës, Xhevdet Shoshi, nuk janë kompensuar me para të gatshme deri në kohën kur i kanë pasur kontratat valide, respektivisht deri më 31 dhjetor 2020.

    Pas kësaj, dëshminë e ka vazhduar paditësi i fundit, Faton Shatri, i cili ka thënë se nga 29 fizioterapeutë, që kanë nënshkruar kërkesën për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës, vetëm 12 prej tyre janë larguar nga vendi i punës nga punëdhënësi.

    Në vazhdim dëshmi ka dhënë përfaqësuesi i të paditurës, Xhevdet Shoshi, i cili deklaroi se pas pranimit të shkresës së bërë nga ana e paditësve për rritje të rrogave dhe përmirësim të kushteve të punës, i ka njoftuar se nuk rriten rrogat në këtë mënyrë.

    “U kam shpjeguar atyre se rrogat rriten në formë bonus në qoftë se vjen realizimi sipas orëve të punës dhe sipas qarkullimit të institucionit mund të ketë ngritje eventuale”, ka thënë Shoshi.

    Tutje, i njëjti ka shpjeguar se gjatë periudhës kur është shkëputur kontrata me paditësit, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbyllje të institucionit si pjesë e masave për parandalim të COVID-19.Të ngjajshme

    “Gjatë asaj kohe 140 punëtorë janë larguar nga puna sipas udhëzimeve të Qeverisë, me përjashtim të stafit teknik”, ka deklaruar ai.

    Shoshi në vazhdim bëri të ditur se pas këtyre masave, 187 punëtorë tek ai kanë përfituar të holla nga ATK-ja.

    Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitarja Hyrije Blakaj, e cila tha se më 13 mars 2020 është njoftuar nga Erblin Mavraj se një numër i fizioterapeutëve po bojkotojnë punën.

    Blakaj deklaroi se edhe asaj si punëtore tek e paditura i është ndërprerë marrëdhënia e punës sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Ndërsa, dëshmitari tjetër, Erblin Mavraj ka thënë se më 13 mars 2020 ka vërejtur se një pjesë e stafit të fizioterapeutëve nuk ka dashur t’i kryejë punët e tyre për çka janë të thirrë.

    “Pas kësaj ka ardhë drejtori Xhevdet Shoshi, i cili i ka lutur ata që dëshirojnë të punojnë, të rrinë dhe të kryejnë punët e tyre, ku dy kolegë të cilët e kishin nënshkruar kërkesën për rritje të pagave kanë filluar të punojnë, ndërsa pjesa tjetër ka dalë jashtë”, ka thënë Mavraj.

    Pas këtyre deklarimeve i autorizuari i paditësve, avokati Veton Berisha i ka propozuar gjykatës që të nxjerret prova me ekspertizë financiare.

    Propozimi i tij u aprovua më pas nga gjykatësi Shemsedin Haxhijaj, i cili ka bërë të ditur se eksperti financiar dhe detyrat e tij do të caktohen me vendim të veçantë.

    Seanca e radhës është caktuar më 30 dhjetor 2021.

    Ndryshe, paditësit Laurent Kabashi, Granit Ademaj, Faton Shatri, Berat Sylaj, Muhamet Zogaj dhe Arbenita Berisha, më 10 qershor 2020 kanë parashtruar padinë fillestare në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog duke kërkuar nga kjo e fundit që të detyrojë të paditurën spitalin “Onix SPA L.L.C”, që atë t’i kthejë në vendin e punës ku ishin më parë si terapeutë në repartin rehabilitues.

    Në padi thuhet se paditësit veç e veç kanë krijuar marrëdhënie pune ndër vite me të paditurën, duke e konkretizuar një marrëdhënie të tillë me kontrata valide.

    Sipas padisë, marrëdhënia e punës ndërmjet palëve tani ndërgjyqëse ka funksionuar mirë deri më 12 mars 2020, datë kjo kur drejtorit të spitalit të lartcekur 29 fizioterapeutë i janë drejtuar me një kërkesë legjitime, duke kërkuar shqyrtimin e kushteve të punës dhe të pagesave për punën që ata kanë bërë.

    Në padi thuhet se drejtori i spitalit, Xhevdet Shoshi, pas pranimit të kërkesës me shkrim nga këtu paditësit, në shenjë revolte shprehimisht në formë gojore iu drejtohet 12 fizioterapeutëve me shprehjen “Largohuni nga këtu, liromani objektin”, duke i përzënë nga puna.

    Pas kësaj, padia thotë se më 18 mars 2020 punëdhënësi ua prezanton punëmarrësve këtu paditësve nga një shtojcë të kontratës së punës me ndryshim të pozitës së punës dhe detyrave në kundërshtim me kualifikimin e tyre, për çka punëmarrësit refuzojnë ta nënshkruajnë.

    Tutje sipas padisë, pas refuzimit të nënshkrimit si më lartë, punëdhënësi në të njëjtën ditë, me shkrim iu drejtohet punëmarrësve për shkëputjen e marrëdhënies së punës.

    Ndërsa sipas precizimit të padisë së bërë më 9 nëntor 2021, paditësit po kërkojnë nga ana e gjykatës që të detyrohet e paditura që secilit veç e veç t’ua kompensojë pagat e punës sipas kontratave të tyre konform nenit 80 të Ligjit të Punës, duke e tërhequr kërkesën për kthim në vend të punës tek e njëjta. 


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark