×
  • Lajme
  • Analiza

    Njëri nga të dyshuarit probleme me shëndetin- Çka u tha në seancën për të arrestuarit për drogë në Prishtinë?

    Insajderi
    10 October 2024 - 15:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit për Lirim Hakajn, Skender Arifajn dhe Enver Hajdarin. Që të tre dyshohen për posedim dhe transportim të substancave narkotike. Kërkesa e Prokurorisë për paraburgim u përcoll me kundërshtime në seancën e së enjtes.

    Mbrojtësi i të pandehurit Lirim Hakaj, avokati Gëzim Kollçaku kërkoi nga gjykata që të përcaktohet masa e arrestit shtëpiak nën arsyetimin se mbrojtja nuk konsideron se ekziston dyshimi i bazuar se Hakaj ka kryer veprat e lartcekura penale, raporton Insajderi.

    Në seancën e sotme degjimore si mbrojtës i të pandehurit Lirim Hakaj nga kjo gjykatë kam pranuar vetëm kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit dhe aktvendimin për fillim të hetimeve dhe asnjë shkresë tjetër dhe provë tjetër e cila do të vërtetonte dyshimin e bazuar se i mbrojturi im dyshohet se ka kryer veprën penale”, ka thënë ndër të tjera avokati Kollçaku në gjykatë.

    Me deklaratat e avokatit është pajtuar i pandehuri Hakaj.

    Mbrojtja e të pandehurit tjetër, Skender Arifajt, avokatja Elena Dragusha arsyeton se klienti i saj nuk i ka rezistuar policisë e as ikur dhe se s’arrin t’i asgjësojë provat e veprës penale.

    Dua të theksoj se provat materiale janë sekuestruar nga ana e policisë dhe se të pandehurit nuk kanë mundësi që të ndërhyjnë në këto prova materiale dhe se gjatë arrestimit të mbrojturit tim nuk ka qenë askush afër tij duke shitur apo blere lende narkotike siç përshkruan prokuroria dhe se masa me e bute e sigurimit të pranisë së mbrojturit tim e paraparë në nenin 171 do të ishte e mjaftueshme për zhvillim të procedurës penale në këtë çështje. I propozoj gjykatës që të refuzohet kërkesa e prokurorisë dhe ndaj të mbrujturit tim të i caktohet një masë më e butë që nuk do të pengojë rrjedhën e procedurës siç është masa e arrestit shtëpiak apo e paraqitjes në polici”, ka deklaruar avokatja Dragusha.

    I pandehuri Arifaj është pajtuar me deklaratat e avokates së tij.

    Mbrojtja e të pandehurit Enver Hajdari, avokatja Aurora Mulhaxha, ka kundërshtuar në tërësi kërkesat e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit. Ajo ka kërkuar që klientit të saj t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak për shkak të moshës së shtyrë dhe gjendjes shëndetësore.

    E lus gjykatën që me rastin e vendosjes se cilën masë do të aplikoj ndaj të mbrojturit tim të i shqyrtoj kushtet për ketë masë konkrete dhe mos të aplikoj masë më të rëndë kur ligji parasheh masa mjaft të përafërta te cilat lehte mund edhe te mbikëqyren nga policia e Kosovës. Andaj meqenëse i mbrojturi im është i moshës 67 vjeçare me nevoja për kujdes shëndetësor per shkak të sulmit në tru i propozoj gjykatës që ndaj të njëjtit të aplikohet masa e arrestit shtëpiak e cila masë në tërësi duhet të respektohet nga i njëjti”, ka thënë ndër të tjera avokatja Mulhaxha.

    Me këto deklarata është pajtuar i pandehuri Enver Hajdari.

    Gjykata për tre të dyshuarit ka caktuar masën e paraburgimit.

    Për çka dyshohen tre të arrestuarit?

    Lirim Hakaj, Skender Arifaj dhe Enver Hajdari gjenden në paraburgim si të dyshuar për posedim dhe transportim të substancave narkotike. Dosja e Prokurorisë thotë se përmes një marrëveshje paraprake, ata transportuan drogë nga Peja për në Fushë Kosovë.

    Insajderi ka arritur të sigurojë dosjen e Prokurorisë, ku tregohet se si i pandehuri Enver Hajdari është kapur me qese najloni me substanca narkotike në sasi prej afro 20 kilogramëve.

    Të pandehurit Enver Hajdari, Lirim Hakaj, dhe Skender Arifaj, në bashkëkryerje, pa autorizim me qëllim për shitje, kanë poseduar, transportuar substanca apo preparate të cilat janë shpallur në ligj si narkotike, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që, pas marrëveshjes paraprake që substancat narkotike të transportohen nga Peja për në Fushë Kosovë, të pandehurit Lirim dhe Skender Arifaj, me veturën Audi, pasi i kanë ngarkuar narkotiket në veturën Golf 6, e marrë me qera, e që drejtonte i pandehuri Enver Hajdari, e kanë shoqëruar prej Pejë për në Fushë Kosovë, saktësisht në pompën e derivateve ‘HIB””, thotë dosja.

    “…ashtu që, më datë 08.10.2024 rreth orës 13:00, me të arritur në Fushë Kosovë, në rrugën e ‘Pejës saktësisht në Motelin ‘Villa X” në dhomën nr. 4, ku ishte duke qëndruar i pandehuri Enver Hajdari, policia kanë gjetur katër thasë të bardhë të mbushur me qese najloni të dyshuar me narkotik me peshë 19kg e 980gram, të cilat janë sekuestruar përkohësisht përmes vërtetimit mbi sekuestrimin e sendeve nga policia”, vijon dosja e Prokurorisë.

    Me këtë të pandehurit Lirim Hakaj, Skender Arifaj dhe Enver Hajdari, në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale; Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge.

    Në dosjen e Prokurorisë po ashtu njoftohet se tek shtëpia e të pandehurit Skender Arifaj i janë sekuestruar afro pesë kilogramë të llojit marihuanë.

    I pandehuri Skender Arifaj, pa autorizim me qëllim për shitje, kanë poseduar, transportuar substanca apo preparate të cilat janë shpallur në ligj si narkotike, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që, më datë 08.10.2024 rreth orës 15:10min, policia SQHN-Prishtinë, gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij, në fshatin Kaliqan të Komunës së Istogut, i kanë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht nëntë (9) paketime (qese najloni të tejdukshme) të mbushura me substanca të dyshuar për narkotikë të llojit marihuanë, një (1) thes letre me substancë të dyshuar për narkotikë të llojit marihuanë dhe një (1) qese e vogël me substancë të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 4.994 gram (4kg e 994gram) një peshore digjitale dhe një DVR “HIKVISION”“.

    Për arrestimin e tre të dyshuarve ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

    “Rasti i parë i koduar “Pritja” i hetuar nga sektori qendror i policisë, është realizuar në katër lokacione të ndryshme i cili ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie prej mbi 25 kg, substancë narkotike të llojit marihuanë, si dhe arrestimin e tre personave të dyshuar (shtetas kosovarë).

    Njësitet policore në cilësi të provave materiale kanë sekuestruar edhe dy vetura dhe tre telefona celular. Vlera e substancës narkotike arrin shumën prej mbi 45 000 euro”, u tha në njoftimin e policisë, teksa shtohet se një pjesë e drogës kishte destinim tregun vendor derisa pjesa tjetër tregun e jashtëm. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark