
Autobusi i “Zhitia Turist”, i cili ishte nisur për në Slloveni u aksidentua mbrëmë në Krushevc të Serbisë. Zyrtarisht u konfirmua për 11 të lënduar.
Njëri prej të lënduarve (emër i njohur për redaksinë), i cili ka qenë zgjuar në momentin e aksidentit, për Gazetën Insajderi ka rrëfyer momentin si erdhi deri tek rasti.
I njëjti ka thënë se deri tek aksidenti erdhi për shkak se shoferi i autobusit “Zhitia Turist”, dy katësh, ka tentuar ta tejkalojë një autobus tjetër.
Ai ka cekuar se të lënduar ka duart, fytyrën dhe veshët.
“Unë zgjutë kam qenë më momentin e aksidentit, jam lëndu, duart, fytyrën dhe pjesën e veshëve. Autobusi nuk ka rrëshqit direkt, ka tejkalu një mjet tjetër andaj kemi përfundu siç kemi përfundu. Në autobus ka pasur edhe fëmijë edhe një foshnje.. Ka qenë tmerr i vërtetë”, ka thënë ai, i cili për shkaqe sigurie ka dashur të mbes anonim.
I lënduari ka thënë se të gjitha trajtimet i kanë kryer në Serbi.
Edhe njëherë tjetër është raportuar se shoferët e kompanisë “Zhitia Turist”, po bëjnë tejkalime të rrezikshme. Një i tillë ndodhi edhe para disa ditësh, po në Serbi. Nga pamjet shihet se si autobusi i kësaj kompanie tejkalon katër vetura përnjëherësh.
Ndërkohë, mbrëmë Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe kompaninë turistike “Zhitia”, të cilët konfirmuan se ka të lënduar, por fajin për aksidentin ia lanë rrugëve të pa pastruara.
“Po ka ndodhur aksidenti, rrugët kanë qenë të pa pastruara. Viktima nuk ka vetëm persona të lënduar me lëndime të lehta, janë dërguar në spital por nuk e dimë ende në cilin spital. Autobusi tjetër vetëm sa nuk ka arritur në Serbi për t’i marrë udhëtarët e tjerë dhe për vazhduar rrugën”, thanë nga kompania Zhitia për Insajderin.
Për aksidentin janë deklaruar edhe nga Qeveria e Kosovës.
“Sipas informatave të para, janë 9 udhëtarë të lënduar në spital dhe të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë.
Kompania e udhëtimit ka nisur një autobus tjetër që t’i marrë udhëtarët që të vazhdojnë udhëtimin për në Graz.
Zyrtari ynë ndërlidhës është rrugës për në spitalin e Krushevcit për t’i vizituar të lënduarit”, thuhej në komunikatën e mbrëmshme të qeverisë.
Është bërë me dije se Institucionet e vendit janë në kontakt të vazhdueshëm për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar të prekurit nga ky aksident./GazetaInsajderi
Lexo edhe: