×
  • Lajme
  • Lajme

    Njërin e vrau fqinji, tjetrin babai, fati tragjik i dy engjëjve shqiptarë

    Insajderi
    17 November 2021 - 18:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mateo dhe Matias, ishin dy fëmijë pothuajse moshatarë e me emra të ngjashëm, që humbën jetën në mënyrë barbare mbrëmjen e 16 nëntorit.

    Njëri në Shqipëri dhe tjetri në Itali, alarmuan dy vendet për mënyrën se si ndodhi ngjarja.  8-vjeçari Mateo kishte dalë si çdo ditë me biçikletën e tij në fshatin Grecalli në Fier ndërsa përballja me 38-vjeçarin problematik Klodian Çalamani, ka rezultuar fatale për të.

    Sipas dëshmisë së këtij të fundit, ishte 8-vjeçari që e ofendoi dhe kaq mjaftoi që Çalamani të merrte lopatën e ta godiste për vdekje të miturin.

    Për të fshehur gjurmët, 38-vjeçari që më parë është akuzuar dhe për përdhunimin e një adoleshenteje, groposi Mateon në oborrin e shtëpisë së tij.

    Vendi u alarmua nga kjo ngjarje, me komentet nga më të ndryshme nëpër rrjetet sociale që kërkonin dënime nga më të fortat për atë që tashmë konsiderohet si “Monstra” e Fierit.

    Madje, solli edhe një herë debatin nëse duhet të rikthehet dënimi me vdekje apo jo. Vetë kryeministri Rama, në konferencën për shtyp të organizuar sot për ngjarjen e rëndë, tha se kjo praktikë nuk do të rikthehet, por që shpreson që Drejtësia të japë dënimin më ekstrem që përmban ligji i Republikës së Shqipërisë.

    Familjarë e të afërm dukeshin të shkatërruar nga ngjarja teksa sot hapën dyert e mortit dhe përcollën vogëlushin e tyre.

    Në të njëjtën ditë, një krim i ngjashëm tronditi Italinë, por akoma më të rëndë e bën fakti që vdiq nga duart e vetë babait të tij.

    Matias, ishte 10-vjeçari me nënë shqiptare, që u masakruar me thikë nga babai i tij polak Mirko Tonkov, 44 vjeç.  Marrëdhënia jo e mirë mes çiftit bëri që ata të divorcoheshin, por me sa duket konflikti nuk ka përfunduar me kaq.

    Ngjarja ndodhi në qytetin e Vetralla-s, dhe sipas raportimeve të medias italiane, 44 vjeçari mësohet se e ka goditur me thikë në qafë djalin e tij Matias, kur kanë qenë vetëm në shtëpi, para se nëna e tyre të largohej.

    Sipas asaj që u zbulua më vonë nga Policia, 44 vjeçari pozitiv me Covid-19 , ishte shtruar në një spital në Romë. Dje në mëngjes ai do të ishte larguar për të arritur në Vetralla.

    Sipas mediave italiane, polaku  kishte qenë shumë i dhunshëm si me djalin ashtu edhe me gruan e tij, Mariola Rapaj 35-vjeçare me origjinë shqiptare.

    Dy engjëj të vegjël që humbin jetën në mënyrën më të keqe të mundshme e me një fund të pamerituar. Me shpresën që Drejtësia të bëjë punën e saj më së miri, nuk mbetet gjë tjetër veçse të urojmë që dy vogëlushët të Prehen në Paqe.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark