Një seri aferash në Byronë e Sigurimeve që dyshohet se seriozisht kanë rrezikuar policë-mbajtësit kosovarë ka shtyrë Bankën Qendrore që në mesin e personave që ka vendosur në para-përjashtim me rrezik përjashtimi komplet nga tregu ta fus edhe njeriun kryesor të kompanisë sllovene “Sava Re” në Kosovë. Drejtori i kompanisë “Illyria”, Shpend Balija ka marrë vërejtjen me shkrim, të fundit para aktit të mundshëm të përjashtimit nga tregu i sigurimeve
Visar Duriqi
Një sërë aferash që kanë ndodhur për vite dhe që dyshohet se e kanë rrezikuar buxhetin që krijohet nga pagesat e kosovarëve në Byronë e Sigurimeve (BKS), policë-mbajtësve, e kanë shtyrë Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) që të bëjë një këqyrje të detajuar që e ka përshkruar në një raport prej 35 faqesh.
Gazeta Insajderi ka publikuar një seri artikujsh nga ky raport i vulosur si konfidencial.
Pas këtij raporti, BQK-ja nxori edhe vendimin e majit të këtij viti ku për pesë vite është përjashtuar nga tregu i sigurimeve ish-Drejtori i Byrosë, Sami Mazreku, derisa një sërë përfaqësuesish të kompanive të sigurimeve në vend janë ndëshkuar me vërejtje më shkrim- e fundit për ta para se ta kenë fatin e Mazrekut.
Në mesin e këtyre personave, sipas vendimit që e ka siguruar Gazeta Insajderi, është edhe CEO (drektori kryesor menaxhues ) i kompanisë me kapital slloven që operon në Kosovë, “Illyria” sh.a., Shpend Balija.
Vendimi për para-përjashtim, që BQK-ja e ka marrë në maj të këtij viti, sipas ligjeve në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve nën mbikëqyrje të BQK-së, bëhet nga ky institucion si ndërhyrje për ruajtjen e interesit të publikut kur ai rrezikohet nga kompanitë.
BQK-ja ka të drejtën e lëshimit të “vërejtjeve më shkrim” kur gjen shkelje dhe “angazhim në praktika të pasigurt”, të drejtorëve dhe menaxherëve të lartë, punonjësve, aksionarëve kryesorë dhe atyre që kanë interes të konsiderueshëm në këtë industri.
Në regjistrin e Ministrisë së Tregtisë, “Illyria” sh.a. deklaron që është krijuar fillimisht në vitin 2004 dhe aktualisht Balija është drejtori menaxhues, derisa kapitalin prej 7.2 milionë eurosh e ka deponuar kompania sllovene “Pozavarovalnica ‘Sava Re’ d.d”.
“Illyria” sh.a. në faqen e saj zyrtare ka deklaruar se bordi që e mbikëqyr punën e CEO-s se tyre, Shpend Balija përbëhet nga Mark Jazbec, Rok Moljk, Milan Virsek, Andreja Rahne dhe Ilirjana Dzeladini.
Gazeta Insajderi e ka pyetur këtë kompani për të komentuar vendimin e BQK-së që e vendos në para-përjashtim njeriun kryesor të firmës, Shpend Balija, se a kanë ndërmarrë ndonjë masë pas këtij vendimi dhe se nëse dikush nga ta është ftuar nga hetuesia, por deri tash kjo kompani nuk ka pranuar që të komentoi.
BQK në këtë vendim që e mban datën 13 maj 2024, bëhet me dije se “…iu shqiptohen masat “vërejtje me shkrim” përfaqësuesve të siguruesve në Asamblenë e Përgjithshme të Anëtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimit. të cilët kanë qenë në detyrë për periudhën e ekzaminuar, që përfshihej viti i kaluar, dhe jo vetëm.
Në këtë vendim, si bazë është përmendur që është përdorur një raport i ekzaminimit, por i cili nuk është i qasshëm nga publiku.
Megjithatë, Gazeta Insajderi e ka siguruar një kopje të këtij raporti, përmbajtjen e së cilit e ka publikuar në një seri shkrimesh të botuara deri tani.
Që para publikimit të artikujve të parë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar disa herë BKS-në, duke i dërguar pyetje, por të njëjtit deri tash nuk janë përgjigjur.
Lexo raportimet e Insajderit: