Shkruan: Catherine E. Shoichet
Natalie Sanchez e dëgjoi këtë term nga fëmijët e saj, kur u anuluan festat e ditëlindjeve të tyre. Kjo ishte më shumë sesa një zhgënjim i thjeshtë. Ishte frika se bota që njihnim dikur, mund të kishte ndryshuar përgjithmonë.
“Mendoj se është diçka që do të lërë gjurmë tek ata. Nuk besoj se do ta harrojnë ndonjëherë. Në jetën tonë, ka pasur një para dhe një pas kësaj pandemia”- thotë nëna e tre fëmijëve nga Little Rock, Arkansas. Kur nisi të përhapej koronavirusii ri, shumë prej nesh shpresonin që mbylljet do të ishin për një kohë shumë të shkurtër.
Tani, kur ka kaluar 1 vit nga nisja e kësaj katastrofe mbarëbotërore, që ka shkaktuar deri tani më shumë se 2.6 milion njerëz, diskutimi ka ndryshuar. Momentet kur dukej sikur e gjitha kjo mund të ishte momentale, kanë ikur shumë kohë më parë. Tani nuk është më çështja nëse kjo pandemi do të diktojë jetën e një brezi të tërë. Debati fokusohet mbi mënyrën se si do të ndodhë kjo.
Disa ekspertë kanë nisur të përdorin një term të ri, për të folur në lidhje me ndryshimet e mëdha që po përjetojmë, ndryshime që mund të shkaktojnë ndikim në jetën e fëmijëve tanë dhe shumë vite më pas. Ata i kanë vënë një emër të ri gjeneratës më të re në botë:Gen C, ose Brezi i Covid-19.
“Covid është një mega-ngjarje e madhe në historinë njerëzore”- thotë Haim Israel, kreu i investimeve në BofA Global Research. Ai do të jetë momenti më përcaktues për këtë brez”- shton Israel. Po kush përfshihet në Brezin e Covidit? Ky term nisi të shfaqej në raportimet mediatike që në fillim të pandemisë.
Kohët e fundit, analistët e investimeve si Israel, dhe mbrojtësit e të drejtave të fëmijëve janë përpjekur që ta përdorin në forma të ndryshe këtë frazë. Etiketimi i një brezi nuk është diçka e thjeshtë. Emrat që ne përdorim për të përshkruar grupe njerëzish të lindur në një periudhë të caktuar, mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.
Nganjëherë pasi ajo që dukej të ishte një ngjarje përcaktuese, më vonë rezulton të jetë më pak me ndikim sesa forcat e tjera në lojë, dhe ndonjëherë pasi fiton terren një term i ndryshëm.
Ndërsa disa ekspertë po përdorin termin “Gen C”, për t’iu referuar ndikimit të pandemisë së koronavirusit tek fëmijët, studiuesit në fusha të ndryshme kanë deri më tani përkufizime të ndryshme se ku fillon dhe mbaron kjo gjeneratë.
Përkufizimi i Israel për “Gjeneratën C”, përfshin fëmijët e lindur nga viti 2016 deri në mesin e viteve 2030, pasi siç thotë ai, ndryshimet që po shohim janë aq dramatike, sa që edhe fëmijët e lindur që do lindin disa vite pas fundit të pandemisë do ta shohin se ajo ngjarje po dikton ende jetën e tyre.
“Ata do të jenë ndryshe, pasi që tani jeta e tyre është duke u formësuar nga një botë krejtësisht e re”- thotë Israel. Të tjerë ndajnë mendime të ndryshme. Kështu një këshilltar i lartë në Fondin e Fëmijëve në OKB, tha se në këtë përkufizim duhet të përfshihen të gjithë fëmijët.
Një profesor i sociologjisë, thotë se aty nuk duhen përjashtuar as studentët e universiteteve. Ndërsa një ekspert i shëndetit mendor vuri në dukje se më të prekurit janë fëmijët e moshës 7-9 vjeç. Të gjithë bien dakord se duhet të vëzhgojmë nga afër atë që po ndodh me fëmijët, dhe se fëmijët e lindur gjatë pandemisë janë një pjesë e rëndësishme e kësaj gjenerate.
“1000 ditët e para të një fëmije janë shumë jetike për zhvillimin e tij”-thotë Jennifer Requejo, një këshilltare e vjetër për shëndetin në UNICEF. “Ndërsa vendet po përqendrohen tek një përgjigje ndaj kësaj pandemie, është e rëndësishme që ato të mos i harrojnë këto periudha kohore që janë shumë delikate për fëmijët e vegjël”- shton ajo.
Sanchez thotë se shqetësohet se djemtë e saj 3-vjeçarë dhe 6-vjeçarë do të jetë të mbingarkuar emocionalisht kur të rikthehen në shkollë. “Druaj se thjesht po bëhen më anti-sociale”- thotë ajo. Por nga ana tjetër sheh edhe një anë pozitive të kësaj situate. “Shpresa ime është që ata do të jenë një brez më i fortë, pasi kemi kaluar shumë gjëra gjatë një viti”-thekson Sanchez.
Frank Danko, 27 vjeç, menaxher supermarketi në Nju Jork, thotë se familja e tij kaloi shumë më shumë kohë së bashku për shkak të pandemisë, sesa do të kishin pasur mundësi në rrethana të tjera. Kjo i dha atij shansin të rrinte më shumë kohë me vajzën e tij Adriana, e cila tani është gati 9-muajshe.
“Pavarësisht se çfarë do të ndodhë më pas, Adriana dhe anëtarët e tjerë të brezit të saj do ta përjetojnë atë së bashku. Sido që të jetë bota, vajza ime do të rritet”- thotë ai. Ne nuk e dimë se si do të jetë bota pas pandemisë. Ndoshta do të duhej muaj, vite apo edhe dekada për ta kuptuar.
Por dimë që prindërit janë të shqetësuar,dhe fëmijët janë më të rrezikuarit nga problemet psikologjike. Presidenti i Akademisë Amerikane të Pediatrisë, paralajmëron se ajo që nisi si një urgjencë e shëndetit publik, është shndërruar në një krizë të shëndetit mendor për fëmijët dhe adoleshentët.
Por studiuesit thonë se vetëm ndarja e problemeve të së tashmes, nuk është mënyra e vetme për të menduar mbi të ardhmen e Brezit të Covid-it. Pasi ka edhe shumë që mund të mësojmë nga e kaluara. Jonathan Comer, profesor i psikologjisë dhe psikiatrisë në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës, ka studiuar efektet që patën tek fëmijët sulmet terroriste të11 Shtatorit dhe ato në Maratonën e Bostonit.
“Është shumë herët të thuhet se si do te jetë karakteri i përgjithshëm i kësaj gjenerate, dhe si do të ndikohet shëndeti mendor i këtij brezi në planin afatgjatë. Por duket se nuk do të ketë një karakter universal të personalitetit, sepse barra e këtyre kohërave nuk ndahet në mënyrë të barabartë”- thekson ai
Ekspertët e shëndetit mendor, bien dakord se mënyra se si prindërit po sillen në këtë situatëka një ndikim të madh tek fëmijët, sidomos tek fëmijët më të vegjël. Israel, analist financiar i Bankës së Amerikës, ka kaluar shumë kohë duke reflektuar se si do të jetë e ardhmja.
Dhe ai vetë është optimist.“Të them të drejtën, unë e kam zili Brezin e Covidit. Unë mendoj se ata do të jetojnë në një botë interesante”- thotë ai. Israel parashikon që ndryshimet që ne kemi parë tashmë, do të përshpejtohen në brezin pasardhës. Për shembull, gjenerata C do të ketë mundësinë të punojë ku të dojë në botë, por pa braktisur komoditetin e shtëpisë së tij.