Fati i konfliktit në Kolumbi mbetet ende i paqartë, por presidenti Juan Manuel Santos është laureat i Nobelit për Paqe, çmim për të cilin ishin në garë edhe personalitete të njohura botërore si Merkel, Papa Françesku dhe Snowden.
Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, është fitues i Çmimit Nobel për Paqe për këtë vit si nderim për përpjekjet e tij për të arritur paqe për konfliktin që e mban peng vendin e tij për më shumë se gjysmë shekulli.
I lindur më 10 gusht 1951, prind i dy fëmijëve, Santos është zgjedhur si president i Kolumbisë në vitin 2010, duke u rizgjedhur për të njëjtin post në vitin 2014 ndërsa paraprakisht ka shërbyer edhe si Ministër i Mbrojtjes.
Ai ka qenë figura kryesore në negociatat katër vjeçare me rebelët e FARK-ut, organizata që filloi luftën guerile në Kolumbi qysh në vitin e largët 1964, kur presidenti sapo kishte hyrë në moshën e adoleshencës.
Santos dhe drejtuesit e FARK arritën një marrëveshje për paqe para pak javësh, por për çudinë e të gjithëve, marrëveshja që i jepte fund konfliktit më të gjatë në Amerikë ishte refuzuar me referendum nga kolumbianët në një rezultat të ngushtë.
Vendimi i popullit ishte pranuar nga Santos, duke fituar kështu kredibilitet edhe më të madh para panelistëve të Nobelit.
“Çmimi i cili më ka nderuar nuk është për mua, por është për të gjitha viktimat e konfliktit. Së bashku ne do të fitojmë çmimin më të rëndësishëm, atë të ‘Paqes’,” ka thënë ai pas marrjes së çmimit.
Por, derisa fati i konfliktit mbetet ende i paqartë për shkak të referendumit, ajo çfarë dihet është se Santos ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur paqe, për një luftë që e ka dëmtuar rënd Kolumbinë.
Lufta për të cilën ai po përpiqet të ndalojë ka filluar në vitin 1964, kur ishte krijuar Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), apo krahu i armatosur i Partisë Komuniste.
Themeluesit e tyre kryesore ishin fermerë të vegjël dhe punëtorë të tokës që ishin lidhur së bashku për të luftuar kundër nivele tronditëse të pabarazisë në Kolumbi në atë kohë dhe imperializmit.
Gjatë periudhës së njohur si La Violencia (Dhuna), llogaritet se mbi 200 mijë njerëz janë vrarë. Përveç kësaj, lufta ka ndikuar negativisht edhe në ekonominë e vendit, ndërsa dëmet vlerësohet me dhjetëra miliarda dollarë.
Pas katër viteve të negociatave në Havana të Kubës, Santos dhe drejtuesi i FARC-ut shtrënguan duart në tokën kolumbian për herë të parë.
Marrëveshja ishte nënshkruar me një stilolaps në formë plumbi, për të simbolizuar kalimin nga plumbat në arsim e edukim.
Rreth 2,500 personalitete të huaja dhe vendore morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki-Moon, Sekretarin Amerikan të Shtetit John Kerry e të tjerë.
Santos kishte në konkurrencë për Nobelin e këtij viti personalitete të njohura të botës si Snoëden, kancelaria gjermane Merkel e Papa Fransçesku. Po ashtu, në garë ka qenë edhe veprimtari nga Kosova, Adem Demaci./Insajderi.com