Marrëdhëniet ndërmjet gjigantit të teknologjisë “Apple” dhe kompanisë që deri dje mbante stafetën për prodhimin e telefonave, “Nokia”, nuk janë në ditët e tyre më të mira.
Nokia ka paditur kompaninë amerikane për shkelje të 32 patentave teknologjike, duke pretenduar se produktet e Apple përdorin shumë nga shpikjet e patentuara të tyre që prej vitit 2011.
Pretendimet e Nokias lidhen me ekranin, programet “software”, antenat, çipat dhe kodifikimin e videove.
Deri në vitin 2011 ishte kompania finlandeze, ajo që dominonte tregun me telefonat e saj, por shumë shpejt suksesi i Nokias u sfumua me daljen në treg të Apple.
Për këtë arsye, Nokia e shiti biznesin e saj të telefonave te kompania “Microsoft”. Por këtë vit, në bashkëpunim me një kompani të re të quajtur “HMD Global”, ata po planifikojnë prezantimin e teknologjisë së fundit të “smartphone”-ve “Nokia 2017”.
Ditën e martë, Apple nga ana e saj nisi një betejë ligjore me korporatën “Acacia”, duke i akuzuar se po bashkëpunojnë me Nokian për të përfituar të ardhura nga kompania e tyre.