Ka 10 muaj që Nora Kelmendi, ish-këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, është e angazhuar në një projekt të Bankës Botërore që implementohet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. Aty ajo merr pagën prej 24 mijë euro si eksperte. Kelmendi pikërisht në këtë institucion po synon ta zë pozitën e drejtoreshës ekzekutive
Ish-këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, Nora Kelmendi, e cila ia ka mësyrë garës për Drejtoreshë Ekzekutive në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ka disa muaj që është e angazhuar në këtë institucion.
Gazeta Insajderi ka zbuluar se Kelmendi është angazhuar si specialiste në kuadër të Projektit për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër dhe për Informacione Gjeohapësinore.
Ajo paguhet 24 mijë euro për këtë angazhim ndërsa kontrata e saj është valide deri në gusht të vitit të ardhshëm.
Informacionet i kanë konfirmuar edhe në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
“Z-nja Nora Kelmendi në Agjencinë Kadastrale të Kosovës është angazhuar në cilësinë e Specialistes për Monitorim dhe Vlerësim në kuadër të Projektit për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër dhe për Informacione Gjeohapësinore”, thuhet në përgjigjen për Gazetën Insajderi.
Në përgjigjen për Gazetën Insajderi nga ky institucioni kanë thënë se dy kandidatë kanë qenë në garë – Kelmendi dhe një person tjetër. Dhe se nga të dytë, Kelmendi sipas tyre i ka plotësuar kriteret.
“Konkursi për këtë pozitë ka qenë publik dhe është shpallur me datë 29 shtator të vitit 2021 në faqen zyrtare të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe në rrjetet sociale të Agjencisë, ndërsa për të njëjtën pozitë kanë aplikuar dy kandidatë, Nora Kelmendi dhe një kandidat tjetër. Në mesin e këtyre dy kandidatëve Nora Kelmendi është vlerësuar si më e kualifikuar për pozitën në fjalë gjithmonë duke ndjekur edhe rregullat e prokurimit të Bankës Botërore”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.
Ajo ka filluar punën që nga janari i këtij viti, shkruan Gazeta Insajderi.
“Nora Kelmendi ka filluar punën në këtë projekt me datë 3 Janar të vitit 2022, ndërsa kontrata e saj zgjat deri në gusht të vitit 2023”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.
Gazeta ka kërkuar të dijë nga kjo agjenci nëse ka pasur ndikim politik që Kelmendi të angazhohet për këtë pozitë. Por në AKK e kanë mohuar një gjë të tillë.
“Përzgjedhja e saj nuk ka qenë e ndikuar nga faktorët e përmendur nga ana juaj”, thuhet shkurt në përgjigjen e AKK-së.
Gazeta ka kërkuar edhe nga Banka Botërore të dijë nëse kanë qenë në dijeni se kandidatja që është pranuar në projektin që financohet prej tyre ka mbajtur pozita të rëndësishme politike dhe ka lidhje të ngushta me pushtetin.
Zëdhënësi i Bankës Botërore, Lundrim Aliu në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka thënë se procesi përzgjedhës është realizuar sipas rregullave të BB-së.
“Procesi i përzgjedhjes të cilit po i referoheni është realizuar sipas Rregulloreve të Prokurimit të Bankës Botërore dhe kandidati i përzgjedhur nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ka qenë kandidati më i vlerësuar në përputhje me Termat e Referencës. Banka Botërore do t’ia përcjellë pyetjet tuaja Njësisë për Zbatimin e Projektit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e BB-së.
Gazeta Insajderi ka raportuar se si Nora Kelmendi, e cila tash është asambliste në komunën e Prishtinës nga VV-ja, ka hyrë në listën e ngushtë për një pozitë të rëndësishme shtetërore, pikërisht në institucionin ku është e angazhuar si eksperte.
Ajo ia ka mësyrë garës për drejtoreshë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Mjedisit.
Nora Kelmendi, është në listën e ngushtë të aplikantëve që do të vazhdojnë me procedurën e mëtejme, sipas njoftimit që ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme.
Ministria e Punëve të Brendshme që ka hapur procedurat për këtë pozitë, me 7 shtator, ka njoftuar se në mesin e gjashtë kandidatëve që do të vazhdonin me procedurën e mëtejme, është renditur edhe emri i Nora Kelmendit.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Nora Kelmendin, për ta pyetur se a ka ndikuar afërsia e saj me qeverinë, që të futet në listën e ngushtë të kandidatëve për këtë pozitë:
“JO”, është përgjigjur shkurt ajo.
Kush është Nora Kelmendi dhe cilat janë lidhjet e saj me pushtetin?
Nora Kelmendi ishte emëruar nga kryeministri Albin Kurti, me 5 mars 2020 si Këshilltare Politike për koordinimin e të drejtave pronësore.
Por pas rënies së qeverisë Kurti I, Kelmendi vazhdoi punë në një komunë të drejtuar nga Vetëvendosje. Si kryetar i Prizrenit, në atëkohë Mytaher Haskuka, në gusht të viti 2020 e emëroi atë në postin e drejtoreshës komunale për Gjeodezi dhe Kadastër.
Gjatë mandatit të dytë të qeverisë Kurti, Nora Kelmendi ishte shefe e kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. E cila kishte dhënë dorëheqje pasi Vitia i hyri garës për kryetar të Prishtinës, e ajo kandidate për asamble nga kjo parti.
Aktualisht Kelmendi është asambliste e Vetëvendosjes në Komunë e Prishtinës. /Gazeta Insajderi