Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar të hënën në Bruksel, me takime të ndara të kryenegociatorëve të të dyja shteteve me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, fillimisht patën takime të ndara me zyrtarin e lartë evropian, e më pas do të ketë takim të përbashkët.
Fokusi i takimeve është zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të saj.
Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Pritet që në takimin e 15 majit të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por edhe të bisedohet për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit.