Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti “Fast Kosova”, me mbështetje të Njësisë Speciale Operative kanë arritur që ta lokalizojnë në Ferizaj e më pas ta arrestojnë një person, i cili ishte i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të policisë, i arrestuari A.A., ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritete norvegjeze për veprën penale “vrasje”, të kryer në Oslo me 7 tetor të vitit 2021.
“Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera të cilat me gjase janë te falsifikuara”, thuhet në njoftimin e policisë.
Bëhet e ditur se ndaj personit të arrestuar do të vazhdojnë procedurat e parapara sipas ligjit për raste të tilla.