Noterët e përzgjedhur në vitin 2019 në një proces të udhëhequr nga ish-ministri Abelard Tahiri, përfshirë figura të lidhura ngushtë me politikën, janë degdisur për ushtrimin e profesionit të noterisë larg vendbanimeve të tyre. Vendimet e nënshkruara nga ministrja Albulena Haxhiu janë publikuar sot.
Pushteti i ka ‘flakur’ larg vendbanimeve të tyre noterët e përzgjedhur në procesin e vitit 2019 nga Ministria e Drejtësisë, në mesin e të cilëve janë gratë e kryetarit të Drenasi, Ramiz Lladrovci e ish-ministrit Hajredin Kuçi, si dhe vajza e ish-ministrit Haki Demolli.
Në vendimet e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e 100 noterëve të rinj të cilat kanë nisur të publikohen sot, vërehet se pushteti aktual i ka licencuar 40 noterë nga procesi i fundit dhe 60 të tjerë nga procesi i përzgjedhjes së noterëve të vitit 2019.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e kishte kundërshtuar ashpër procesin e përzgjedhjes së noterëve në vitin 2019 dhe pas ngjitjes në pushtet, një vit më vonë, kishte nxjerrë vendim për anulimin e tij. Megjithatë, një padi në gjykatë ia kishte rrëzuar asaj këtë vendim.
Kësisoj, ajo është detyruar të njohë procesin në të cilin ishin emëruar njerëz të afërt me politikanët në pushtet asokohe.
Por, në vendimet për emërimet e noterëve të rinj, Haxhiu i ka degdisur disa prej tyre duke i caktuar si noterë në territore larg vendbanimeve ku ata banojnë. Në qendrat kryesore janë caktuar emra të tjerë, kryesisht ata të përzgjedhur në konkursin e udhëhequr nga pushteti aktual që ka përfunduar këtë vit.
Shemsie Lladrovci, gruaja e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është degdisur në Deçan, bazuar në vendimin për emërimin e saj të publikuar sot nga Ministria e Drejtësisë.
Në Lipjan janë dërguar Fatmire Jerliu – Kuçi, gruaja e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe Ariana Demolli, vajza e ish-ministrit të Mbrojtjes, Haki Demolli.
Floriana Rugova, ish-anëtarja e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-anëtarja e kabinetit të ish-ministrit Hajredin Kuçi, është degdisur në Komunën e Dragashit.
Në qendrat kryesore janë emëruar kryesisht noterët e përzgjedhur nga procesi më i fundit, i udhëhequr në periudhën e Albulena Haxhiut.
Për shembull, Luljeta Plakolli-Kasumi, ish-ushtruese e detyrës së rektores të Universitetit të Prishtinës, e cila është përzgjedhur notere në procesin e fundit, është emëruar notere në territorin e Komunës së Mitrovicës.
Rreth 50 emra të noterëve të rinj tashmë janë publikuar.
Ashtu siç ishte paralajmëruar nga ministrja Albulena Haxhiu, vendimet e nënshkruara nga ajo javën e kaluar, kanë nisur të publikohen sot.
Nga 100 noterë, 40 prej tyre janë të përzgjedhur nga procesi i emërimit të noterëve të zhvilluar në vitin 2019 nga Qeveria Haradinaj, ndërsa 60 të tjerë nga konkursi i fundit i vitit 2024 të cilët janë përzgjedhur nga pushteti aktual.
Gjatë orëve të ardhshme pritet të publikohen vendimet për të 100-të noterët e rinj të emëruar. /Paparaci.com