Nuk do të jetë kapitalizmi ai që do të na shpëtojë nga Covid-19 - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Nuk do të jetë kapitalizmi ai që do të na shpëtojë nga Covid-19

    Insajderi
    13 April 2021 - 10:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mariana Mazzucato

    Boris Xhonson ia atribuoi “kapitalizmit” dhe “lakmisë” suksesin e fushatës së vaksinimit në Britani. Këto janë komente të natyrës emocionale, por nëse fjalët e kryeministrit ofrojnë ndonjë tregues se si Mbretëria e Bashkuar do ta marrë veten nga pandemia, pasojat për zgjedhjet e politikave të vendit brenda dhe jashtë vendit janë shqetësuese.

    Kjo nuk është hera e parë që Xhonson nxjerr leksione të gabuara ekonomike nga kriza e Covid-19. Disa muaj më parë, nën të njëjtën frymë ai iu drejtua “të majtëve, që janë të bindur se gjithçka mund të financohet nga paratë e taksapaguesve”, duke u thënë se “vjen

    një kohë kur shteti duhet të bëjë një hap prapa, dhe ta lejojë hyrjen në lojë të sektorit privat”.

    Ai nuk është i pari që i sheh vaksinat si një sukses të sektorit privat. Por vlen të përmendet se vaksina AstraZeneca, u krijua nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit, dhe më vonë u zhvillua dhe u shpërnda nga gjiganti farmaceutik anglo-suedez AstraZeneca.

    Megjithatë, vetëm privati u lavdërua publikisht. E vërteta është se një sasi e paparë fondesh publike u derdhën për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave. Gjashtë vaksinat kryesore vlerësohet të kenë marrë rreth 10 miliardë euro fonde publike të taksapaguesve, përfshirë rreth 1.4 miliardë euro për vaksinën Oxford-AstraZeneca, dhe rreth 2.1 miliardë euro për vaksinën e Pfizer-Biontech.

    Ky nivel investimesh që përfaqëson një rrezik të madh, por nuk është i vetmi që ka marrë sektori publik. Qeveritë kanë përdorur “angazhimet paraprake”, për të siguruar që kompanitë private që arrijnë të prodhojnë një vaksinë kundër Covid-19, të shpërblehen me blerje të mëdha të produktit të tyre.

    Fondet publike të shpenzuara për kërkimin dhe zhvillimin, janë shpesh të rrezikshme, në kuptimin që qeveritë investojnë në fazat e para dhe më të rrezikshme të inovacionit shëndetësor, para se ai të ekzistojë një treg. Kjo është një nga arsyet pse kompanitë kanë qenë në gjendje të krijojnë në një kohë rekord një vaksinë anti-Covid-19.

    Siç e bëri të qartë një raport të fundit nga Këshilli i Strategjisë Industriale Britanike, përparimi me vaksinat kundër Covid-19, do të kishte qenë i pamendueshëm pa përfshirjen e shtetit. Koordinimi efektiv dhe “i synuar” i qeverisë – i përbërë nga politikat industriale të investimeve shkencore, prokurimi publik strategjik dhe bashkëpunimi publik-privat – ishte thelbësor për suksesin e fushatës së vaksinimit kundër koronavirusit.

    Gjithsesi duhet të bëhet një sqarim i rëndësishëm. Edhe pse qeveria e njeh forcën e Britanisë në sektorin e shkencave të jetës, dhe dëshiron ta mbështesë atë me dy marrëveshje të reja, aftësia e vendit për të prodhuar doza të mjaftueshme, nuk është një përfundim i paralajmëruar.

    Pamundësia historike e Britanisë për të mbështetur bazën e saj kombëtare të prodhimit, është e dukshme në grindjet e fundit midis Brukselit dhe Londrës për furnizimet me vaksinën e Oxford-AstraZeneca.

    Para krizës, Britania nuk ishte e interesuar të investonte mbi një bazë lokale industriale për prodhimin masiv të vaksinave dhe produkteve të tjera shkencore. Nëse qeveria do të kishte propozuar një plan për të investuar në fabrika të tilla përpara pandemisë, ajo ndoshta do të ishte pritur me shumë pak entuziazëm.

    Por pandemia po na tregon se sa jetike është të kesh një strategji industriale afatgjatë, që investon në produktivitet dhe rritje ekonomike, dhe që njëkohësisht ka qëllime më ambicioze, si trajtimi i krizës së klimës dhe pandemitë e ardhshme.

    Në vend se ta shohë të tashmen si kohën më të mirë për të dalë me një plan të tillë, Xhonson po heq dorë nga një strategji e arsyeshme industriale. Reduktimi i fondeve për Këshillin e Strategjisë Industriale, një organ i pavarur konsulence që e këshillon qeverinë për strategjinë industriale që duhet të ndjekë, sugjeron se nuk do të vlerësohet puna e çmuar e këtij institucioni.

    Qeveria britanike është zotuar të dyfishojë shpenzimet publike për kërkimin dhe zhvillimin, duke e çuar në 22 miliard paund brenda viteve 2024-2025, por gjithashtu propozon të shkurtohet buxheti i “UK Research and Innovation”, një departament publik që financon kërkimin.

    Fakti që shkurtimet po ndodhin në mesin e një pandemie globale, dërgon një mesazh shqetësues në lidhje me përparësitë e kryeministrit Xhonson. Kur foli për lakminë, Xhonson identifikoi në fakt problemin e sistemit, dhe jo diçka që meriton lavdërim.

    Vetëm një vaksinë nuk mund të jetë e mjaftueshme për ta frenuar Covid-19, dhe Britania nuk do të jetë e sigurt nga virusi, derisa të vaksinohet shumica e popullsisë së botës. Është shumë e vështirë të kuptohet se si lakmia mund ta bëjë vaksinën të disponueshme për të gjithë, në të gjitha vendet dhe falas.

    Adresimi i monopolit të kompanive farmaceutike në shkencë, aftësi teknike dhe teknologji, dhe ndarja e këtij misioni me sa më shumë vende të jetë e mundur, do të jetë thelbësore për rritjen dhe decentralizimin e prodhimit të vaksinave në të gjithë botën.

    Kur një qeveri drejtohet nga filozofia e lakmisë, aparteidi i vaksinave është i garantuar. 56 përqind e më shumë se 455 milion dozave të vaksinave anti-Covid kanë shkuar tashmë tek njerëzit në vendet me të ardhura të larta, dhe vetëm 0.1 për qind është shpërndarë në 29 vendet më të varfra.

    Nuk ka gjasa që programi Covax i OBSH, që synon të vaksinojë deri në 27 përqind të popullsisë në 92 nga vendet më të varfra, të jetë i mjaftueshëm. Pasi ka bërë mirë me programin e saj të vaksinimit, Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë tani në gjendje të kontribuojë në një fushatë globale të vaksinimit.

    Premtimi i qeverisë britanike për të dhuruar vaksina të tepërta është një fillim i mirë, por nuk është i mjaftueshëm. Nevojitet një udhëheqje e fortë dhe shpresë. Por në vend të kësaj, Xhonson duket i lidhur me idenë anakronike dhe kundër-produktive, se kapitalizmi dhe lakmia do ta vaksinojnë botën, dhe do të kontribuojnë në rindërtimin pas pandemisë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark