Prishtina dhe Llapi ishte kryendeshja e xhiros së katërt të edicionit të ri të Albi Mall Superligës së Kosovës në Futboll.
Në duelin përmbyllës të ditës së djeshme në Superligë, Prishtina regjistroi një fitore të madhe me përmbysje ndaj Llapit.
Në fund të ndeshjes u shfaqën tensione nga Llapi. Trajneri i skuadres llapjane, Tahir Batatina u pa duke iu vërsulur gjyqtarit kryesor, Genc Nuzës, pasi ky i fundit e ndëshkoi me karton të kuq në fund të ndeshjes.
Prishtina e fitoi duelin 3-2, duke e kthyer rezultatin pasi dy herë ishte në disavantazh.
Pas ndeshjes mbrëmë, Llapi ka dalë me një komunikatë, ku ka hedhur akuza të rënda ndaj gjyqtarit Genc Nuza.
“Një gjykim i ndeshjes si ky nga Genc Nuza tregon se kampionati nuk do të shkojë mbarë pa pasoja, ku më pas do të jetë vonë, sepse djersa e kryesisë, sponsorëve, shtabit teknik dhe e lojtarëve do të humbet qëllimisht nga akterët e ndeshjes”, thuhet në njoftim.
Tutje në komunikatë thuhet se Llapi kërkon që Genc Nuza më të mos caktohet për gjykim në ndeshjet e klubit të tyre, pasi që ndaj të njëjtit nuk do të ofronin siguri, teksa kanë kërkuar largimin “përjetë” të tij nga futbolli.
“Nëse Federata nuk merr masa, ne si klub nuk do të sigurojmë siguri për Genc Nuzën nëse vjen në Podujevë, sepse sot ishte aktori i lojës së futbollit. Mundimi dhe djersa shumëvjeçare dhe kontributi në futboll nuk duhet të humben nga një gjyqtar. Nëse Gramos Shala u largua nga referimi për një gabim në një ndeshje, Genc Nuza duhet të largohet përjetë nga futbolli”.