×
  • Lajme
  • Analiza

    “Nuk e çnjohim Kosovën”, a u ngut Kurti me deklarimin për presidentin e ri të Malit të Zi?

    Insajderi
    04 April 2023 - 23:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Para pesë ditësh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu një “brengë dhe shqetësim të madh” të tij në lidhje me një ngjarje të rëndësishme rajonale – zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Aty garonin Millo Gjukanoviq dhe Jakov Millatoviq, ku tashmë fitoi ky i fundit.  “Do t’i përcjell me ethe si asnjëherë më parë”, tha Kurti në një intervistë në Rubikon në lidhje me këto zgjedhje, shkruan Insajderi.

    Brenga dhe shqetësimi im në planin ndërkombëtar janë zgjedhjet që do të mbahen në Mal të Zi. Unë jam shumë i brengosur për këto zgjedhje”, deklaroi ai. Kushdo tjetër po t’i fitonte këto zgjedhje përveç ish-presidentit Gjukanoviq, përbën rrezik, shprehej kryeministri.

    Unë besoj që hapet rruga për zhdukjen e kombit malazez. Konkretisht, fitorja në zgjedhje e çfarëdo kandidati, e jo vetëm këtij, se këta nganjëherë bëjnë gara a janë më shumë pro-serb a pro-rus, ndërkohë që janë dyjat”, tha Albin Kurti.

    Frika e kryeministrit shkonte edhe më larg. Në përfytyrimin e tij hapej rruga për një skenar të errët në marrëdhëniet rajonale por edhe ndaj vetë strukturës së brendshme shtetërore të Mali të Zi. “[…] në zgjedhjet parlamentare të majit që do të jenë pastaj, dhe me regjistrimin e popullsisë që të bëhet në Mal të Zi [mund] të shënojë fitoren e rradhës të KOS-së në Mal të Zi, dhe në këtë mënyrë Mali i Zi mund të quhet ashtu si shtet, por kombi malazez ngelet një pakicë e dominuar aty dhe nuk do të jetë i tillë çfarë e njohim […]”.

    Një skenar i tillë Kurti tha se “mua më frikëson” e aq më tepër duke qenë se Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s. “Një fitore e tillë e inkurajon shumë Kremlinin”.

    Në planin strategjik rajonal është pikërisht një fitore e tillë e Serbisë dhe Rusisë që ia shkëput lidhjen teritoriale Shqipërisë me Kroacinë. Unë besoj që pasojat do të jenë tejet të mëdha. Uroj të mos ndodh kësisoj dhe uroj që këta kandidat që neve po na duken pro-rus dhe pro-serb të mos jenë të tillë mirëpo kemi tepër indikacione e shpesh herë edhe fakte se është ashtu. Këtë të diel do t’i përcjell me shumë vëmendje dhe ethe zgjedhjet në Mal të Zi si asnjëherë më parë”, e konkludoi ai pikëpamjen e tij.

    Ndërkaq, dy ditë nga fitorja e tij, Jakov Milatoviq u deklarua për botëkuptimin e tij për çështje rajonale. Nga mediat serbe ai u pyet specifikisht se çka tash rreth marrëdhënieve të Mali të Zi me Kosovën. “A do ta tërhiqni njohjen ndaj Kosovës?”, u pyet Milatoviq nga televizioni “Nova”.

    Ndonëse Milatoviq provoi të jetë politikisht korrekt edhe me shikuesit dhe politikën serbe, duke folur për synimet e tij të ndërtimit të marrëdhënieve mes Mali të Zi dhe Serbisë, rreth Kosovës ai u shpreh se nuk mund të pritet të ketë ndonjë ndryshim të kursit.

    Nuk është realiste të pritet që Mali i Zi do ta tërheqë njohjen ndaj Kosovës. Kjo çështje është e qartë”, tha fare shkurt Milatoviq.

    Ne mbështesim gjithçka për të cilën bien dakord Beogradi dhe Prishtina dhe besoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte i rëndësishëm për të gjitha vendet e rajonit. Në këtë kuptim, Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë, i cili diku do të promovojë të marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”, shtoi ai.

    Megjithatë, Milatoviq mbështetje për të fituar në raundin e dytë ndaj Millo Gjukanoviqit i morri kryesisht nga Fronti Demokratik, lideri i të cilës është Andrija Mandiq, kundërshtar i kahershëm i Kosovës si shtet.

    Gjukanoviç përfundoi me 35.37 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve më 19 mars, me Milatoviq me 28.92 për qind, duke bërë të nevojshme balotazhin sepse asnjëri nuk fitoi një shumicë prej 50 për qind. Frontit Demokrati, Andrija Mandiq, morri 19.32 për qind, vota të cilat në raundin e dytë u bartën me mbështetje publike nga Mandiq te Jakov Milatoviqi.

    Por, kusht është Mandiq?

    Andrija Mandiq, një politikan pro-serb dhe pro-rus, i cili ka marrë pjesë në luftën pushtuese serbe në Kosovë si pjesë e Brigadës së Pestë të Motorizuar përçka edhe është dekoruar nga ish-ministri fashisht (sot kreu i BIA-s serbe), Aleksandar Vulin.

    Më 2020 ai ishte dekoruar nga Vulin për pjesëmarrjen e tij në luftë në Kosovë, shkruan Insajderi.

    Ish pjesëtarët e Ushtrisë Jugosllave Andrija Mandiq, komandant i baterisë së lehtë të artilerisë vetëlëvizëse nga Brigada e 5-të e motorizuar e Ushtrisë Jugosllave dhe Danilo Lekoviq, komandant i Togës së Parë në Baterinë e Artilerisë Vetëlëvizëse të Lehtë nga Brigada e 5-të e Motorizuar. Ushtria Jugosllave, sot nga Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin mori medalje përkujtimore ushtarake për kontributin në sistemin e mbrojtjes së Republikës së Serbisë, në një ceremoni në Sallën e Madhe të Luftës së Shtabit të Përgjithshëm të vjetër”.

    Kjo është një mirënjohje e madhe për baterinë që kam komanduar, një mirënjohje e madhe për të gjithë rezervistët në Mal të Zi, dhe në vitin 1999 ka pasur një numër të madh të tyre, të cilët e dinë dhe janë krenarë që iu përgjigjën thirrjes së atdheut të tyre dhe se ata e mbrojtën atdheun e tyre ashtu siç bënë paraardhësit tanë të shquar. Kanë kaluar njëzet vjet dhe shumë në Mal të Zi janë përpjekur, të njëjtët që kanë bërë thirrje për dezertim në vitin 1999, që kanë punuar për aleancën e NATO-s në vitin 1999, që njerëzit të kenë turp për faktin se i përkisnin Ushtrisë Jugosllave”, pati thënë Mandiq, në rastin e dekorimit nga Vulin.

    Jo vetëm kjo. Andrija Mandiq kishte hyrë me javë në grevë urie kur Mali i Zi e kishte njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 duke e proklamuar veten si “Martir i Kosovës” në kohën sa ishte lider i “Listës Serbe” në Mal të Zi.

    “Andrija Mandiq, lideri i ‘Listës Serbe’ ka hyrë në grevë urie që nga 12 tetori për të denoncuar njohjen e Kosovës nga Mali i Zi, raporton Insajderi. Ai u transferua në spitalin e Podgoricës të shtunen dhe gjendja e tij po keqësohet”, raportonin mediat malaziase në vitin 2008.

    Mandiq vazhdimisht ka qenë i zëshëm nlë mbështetje të barrikudesve serbë në veri të Mitrovicës derisa disa herë ka denoncuar kryeministrin kosovar, Albin Kurtin, për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark