
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin në ditën e dytë të dëshmisë së tij, ka treguar sa kohë shpenzoi për t’u përgatitur në mënyrë që të jetë i disponueshëm në gjykatë.
Brenda sallës ku prezent jaën edhe çlirimtarët, Rubin tha se nuk e kuptonte këtë gjykim, dhe se nuk ishte i sigurt nëse “ishte normale apo jo”.
“Jam përpjekur të shqyrtoj me aq sa di unë, artikuj me shkrim ose dokumente të cilat janë paraqitur në ekran, e të cilat lehtësisht shfaqen këtu. Rilexova shumë nga materialet, jam takuar edhe me ekipin e Mbrojtjes në Uashington, një ditë të plotë 1 herë ose dy ditë të plota. Kam menduar, kam kaluar pesë vite duke u përgatitur me të. Mendoja nga viti në vit se do hapet gjykimi sot, vitet kalonin dhe asgjë nuk ndodhte. Kam vrarë mendjen sepse u deshën 5 vite për të krijuar një çështje të tillë, ndërkohë aktakuza u ngrit 5 vite përpara”.
“Nuk e kuptoja gjithë këtë, në qoftë se një gjë e tillë ishte normale apo jo, kam folur me juristë e avokatë që më kanë thënë se kjo është një mënyrë e pazakontë për një burrështetas që është dorëzuar vullnetarisht”.
Tutje, Rubin tha se ka menduar për orë të tëra për këtë gjykatë.
“E mbajta mendjen të mbushur dhe kam menduar për orë të tëra për këtë gjykatë. Kam punuar në pjesën ekzekutive të ShBA-së, kam qenë shumë i zënë në profesionin tim, në një periudhë kam qenë këshilltar i Blinkenit. Më duhet të them që për dëshirën time për të qenë i disponueshëm në gjykatë, kam shpenzuar shumë orë, për të siguruar që Departamenti i Shtetit të më lejonte të jepja dëshmi, ishte një barrë për mua”.
Poashtu, ish-diplomati tregoi se Pierre Prosper ishte i pari që e kontaktoi.
“Pierre Prosper më kontaktoi së pari, ish-prokurori i krimeve të luftës në Amerikë. Ndërkohë që kisha edhe angazhime të tjera, kam menduar edhe për këtë gjykatë, jam përpjekur të bëj të pamundurën për të qenë i disponueshëm. U pajtova që të isha një dëshmitar, kam qenë në kontakt me Prosper për 5 vjet. Jam kontaktuar kur kam qenë në Paris, mendoj që jam kontaktuar rreth 4 vite më përpara. Jam njoftuar lidhur me këtë, sa i takon gjykimit. Ka qenë diku nga tetori i vitit 2020 dhe vjeshta e 2021”.