Janë bërë afro një muaj që kur në opinion po qarkullojnë lajme se Franca dhe Gjermania u kanë dhënë liderëve të Kosovës e Serbisë një propozim se si të zgjidhen mosmarrëveshjet mes shteteve, përkatësisht të ketë arritje finale të marrëveshje. Lidhur me propozimin franko-gjerman, në dijeni po del të jetë edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, shkruan Insajderi.
Hoxhaj në InDoks të Gazetës Insajderi, ka thënë se ky propozim nuk është ashtu siç ka dalë në media, teksa ka shpalosur detaje të këtij dokumenti.
“Unë e kam pa dokumentin nuk është i njëjti me atë që është thënë në tërësi me atë që është publikuar në disa media në Kosovë, fryma mund të jetë e njëjtë, por se si e kam kuptu unë planin franko-gjerman i cili ka mbështetje të plotë amerikane është që duan ta lëvizin Kosovën drejt anëtarësimit në NATO, partneriteti për paqe dhe plani i veprimit janë hapat e parë. Njohja e 5 vendeve të BE-së, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe në disa organizata të tjera”, ka thënë Hoxhaj për Insajderin.
Sipas tij, me një interpretim të thjeshtë, bazuar në planin franko-gjerman, në këtë kohë Kosova do të duhej ta përmbyll dhe ta vulos identitetin shtetërorë euro-atlantik.
Ai tregon edhe arsyen pse mendon se për Kosovën është me i rëndësishëm anëtarësimi në NATO sesa në OKB.
“Në kohën që ne po jetojmë, kur shtetet e mëdha si Rusia po shkelin kartën e OKB-së po sulmojnë shtete sovrane sikurse është rasti me Ukrainën, në pikëpamjen time më me rëndësi është anëtarësimi në NATO sesa anëtarësimi në OKB. Por, është OKB-ja ajo që po mbron shtete, prandaj është edhe ky plani B integrimit euro-atlantik të Kosovës, i cili do ta dobësonte pozitën e Serbisë, Rusisë dhe i cili mbi të gjitha do ta integronte Kosovën në zonën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe është e njëjta gjë sikurse ka ndodhur me anëtarësimet e Suedisë e Finlandës. Ideja është me kriju një zonë të sigurisë prej Baltikut, Cekisë, Sllovakisë e deri në Greqi, meqë ne nuk e dimë se si do të jetë bota në pjesën e Evropës Lindore”, tha Hoxhaj.
Deputeti i opozitës thotë se është në duar të shtetit tonë, pastaj të vendos nëse marrëveshja me Serbinë është ose jo e dëmshme.
“Unë mendoj që plani do të duhej të shihej vetëm si kornizë për qëllime të matshme në dialog, sa ka afate kohore për ti ulë shtetin e Kosovës dhe Serbisë, si shtete sovrane dhe të barabarta në dialog. Ndërsa elita politike në Kosovë, zotëri Kurti si kryeministër, partitë politike opozitare, opinioni publik dhe populli në Kosovë mund të vendosin për marrëveshjen nëse është e dëmshme, e mire a e keqe kur e kemi në tavolinë”, ka deklaruar ish-ministri
“Unë kam qenë pjesë e negociatave në Vjenë dhe kur kemi shku atëkohë ka pasur një kornizë i njohur si dokument i grupit të kontaktit, në atë dokument nuk është folur për pavarësinë e Kosovës, Ahtisari neve në takime asnjëherë nuk na ka thënë që Kosova do të jetë e pavarur, as amerikanët, as evropianët nuk kanë bërë deklarata që pavarësia e Kosovës është qëllimi final, por gjithherë e kemi ditur se do të arrijmë aty”.
“Prandaj unë jam i sigurt që nëse Kosova merr pjesë në një proces të tillë, që do të mbërrijmë aty ku dëshirojnë, një marrëveshje finale, njohje të ndërsjellë, anëtarësim të Kosovës në NATO, në organizata evropiane, që kjo është një kornizë vetëm mes shteteve evropiane dhe të pavarura dhe çdo herë negociatat fillojnë me korniza të tilla”, ka ish-ministri Hoxhaj për InDoks.
Intervista e plotë me Hoxhajn: