Edison Arrazi, vëllai i të dyshuarit Ergys Arrazi tha se Alma Arrazi trajtohej prej kohësh me ilaçe për drepresionin dhe stresin.
Ai thotë se është e pavërtetë se ‘vëllai ka ushtruar dhunë psikologjike apo fizike ndaj nuses tonë të shtëpisë’.
Edison Arrazi, vëllai i të dyshuarit Ergys Arrazi: Është një ngjarje shumë e rëndë që na ka ndodhur në familjen tonë sepse ende nuk janë gjetur dy trupat e tjerë dhe dy i kemi të vdekur. Dua të sqaroj opinionin publik se vëllain tim e njeh e gjithë Shkodra sepse ka punuar në servis celularësh. Është e pavërtetë se vëllai ka ushtruar dhunë psikologjike apo fizike ndaj nuses tonë të shtëpisë. Ne pas ngjarjes së rëndë kemi bërë katër arkivola dhe nusen do ta përcjellim bashkë me të tre fëmijët. Ajo ka qenë nusja jonë dhe ne e kemi dashur dhe respektuar. Sa i përket ngjarjes nuk është e vërtetë se vëllai e ka dhunuar. Prokuroria na ka dhënë leje që vëllai të vinte në varrim dhe policia nuk e lejoi që t’i hidhte një grusht dhe vajzës që varrosëm sot. Unë dua t’i bëj thirrje të gjithëve që të mos nguten dhe të na lënë kohë që të dalë e vërteta e ngjarjes.
Vëllai dhe nusja kanë shkuar shumë mirë dhe nuk kanë patur probleme siç po akuzohet gjithandej. Unë dua që vëllai të vijë në shtëpi dhe të varrosim edhe vajzën tjetër që u gjet sot. Faktet janë gjithandej se nuk është dhunues vëllai im sepse e njohin të gjithë. Ne kemi jetuar në një shtëpi së bashku dhe nëse ka patur dhunë të paktën njëherë do e kishte denoncuar ose do kishte trokitur në dyert e ndonjë shoqate ose do e kishte gjetur një zgjidhje. Ne i kemi njoftuar për çdo gjë familjen e nuses sonë, që nga momenti i parë dhe deri më tani. Sot nuk kanë qenë në varrim por e dimë se dhimbja edhe për ata është po aq e madhe sa e jona. Edhe ata janë të respektuar nga ana jonë. Nusja është trajtuar prej shumë kohësh me ilaçe për stresin dhe depresionin.
Nuk është se ka qenë në një gjendje të rënduar por herë pas herë ka marrë ilaçe. Ngjarja është shumë e rëndë dhe jemi tejet të ngarkuar. Unë për vete kam tre ditë që kam dalë nga burgu. Bëra katër vite burg dhe nuk e di ende se për çfarë i bëra sepse me kanë dënuar për bimë narkotike gjë që nuk është e vërtetë.