
Ilir Kërçeli, Shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, thotë se nuk është koha të flitet për mungesën e sigurimeve shëndetësore për policët e as për pagat e tyre dhe për të dyja vlerëson se nuk është faji i Qeverisë Kurti.
Sipas tij, në kohën kur Policia e Kosovës po përballet me sulme në veri të vendit, nuk duhet të fliten këto tema.
Postimi i tij i plotë:
Nuk është mirë që policët e Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore, nuk është mirë që policët e Kosovës nuk kanë paga më të larta, por as nuk është faji i kësaj qeverie e as i policëve për këto 13 muaj qeverisje për këto probleme.
Nuk është momenti e nuk është as koha e nuk është as mirë që këto tema e këso lajme të prodhohen në këto ditë kur dje veç u bë edhe sulmi i pestë mbi policinë e Kosovës brenda 72 orëve.
Është koha për motivim, kurajo e mbështetje për policinë tonë ashtu si e meritojnë në çdo ditë të jetës tonë në vendin tonë!
Në një intervistë për Express, gjatë këtij muaji, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, si motivim për punë për policët kishte përmendur pagat dhe sigurimin shëndetësor.
Për kushte më të mira pune për policët, ai kishte përmendur Ligjin për Pagat dhe kërkesat që i kanë bërë e të cilat shpreson se do të merren parasysh nga Qeveria, ndërsa një kërkesë tjetër urgjente është edhe sigurimi shëndetësor që do të ishte motivim shtesë për policët e Kosovës.