Prokuroria Themelore e Gjakovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor T.Gj nën dyshimin se ka kryer veprën penale“Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe ndaj B.K për “dhënie ryshfeti”, shkruan Insajderi.
Polici i dyshuar nuk i kishte shqiptuar gjobën fare, qytetarit – ndërkohë dyshohej se e kishte pranuar ryshfet
Sipas aktakuzës zyrtari policor, tejkalon kompetencat e vet me qëllim të përfitimi pasuror, ashtu që nga data 07.02.2024, deri me dt.23.02.2024, ka dëmtuar personin tjetër, ku ka komunikuar me telefon dhe është takuar me tani të pandehurin B.K., ashtu që ka plotësuar gjobat e trafikut nga data 09.02.2024, të fotokopjuara më parë, me numër shq.., të shqiptuar në emër të V.B., dhe me dt.21.02.2024, ka plotësuar gjobën me numër shq.., të shqiptuar në emër të A.B., bazuar në kërkesën e tani të pandehurit B.K., në atë mënyrë gjobat i ka fotografuar dhe ia ka dërguar të njëjtit në viber me qëllim që nga B.K., të përfitoj ku me datë 23.02.2024, rreth orës 15:38 min, vjen me automjetin të tipit WV Passat dhe pjesët për servisim të automjetit në vlerë 112 Euro, i merr tek një pompë e derivateve në Gjakovë, ku i pandehuri B.K., ja len punëtorit të pompës së derivateve për t’ia dorëzuar të njëjtit, ashtu që pas njoftimit të IPK-së, me rastin ka rezultuar se gjobat nuk i kishte dorëzuar në Stacionin Policor, i pandehuri dhe as nuk i kishte plotësuar në librin e tiketave por që të njëjtat i kishte përdorur në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit.
Me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Po ashtu në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës ndër tjera cekët se i pandehuri i dytë B.K., me datë 23.02.2024, me qëllim të dëmtimit të qytetarit – ish shokut të tij V.B., në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të personit zyrtar që të veprojë në kuadër të detyrës zyrtare i kërkon të pandehurit T.Gj., që në cilësi të zyrtarit policor të Komunikacionit Rrugor, ta dënoj V.B., dhe familjen e tij sa herë të i takojë, ashtu që i pandehuri B.K., pasi është njoftuar nga i pandehuri T.Gj. me tiketën, me numër shq.., të shqiptuar në emër të V.B., dhe tiketën me numër shq.., të shqiptuar në emër të A.B., që ja ka fotografuar i pandehuri T.Gj., ditën kritike rreth orës 15:33 min, vjen me automjet kombi ngjyrë e bardhë dhe i sjell tek një pompë e derivateve në Gjakovë, pjesët për servisim të veturës së tij në vlerë prej 112 Euro, të cilat ia kishte dhënë punëtorit të pompës së derivateve, duke ia bërë të ditur se do të vij zyrtari policor T.Gj.,. Me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” “, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.