"Nuk i kemi marrë ende parat për libra, telefonin nuk e hapin" - Nëntë ditë nga fillimi i shkollës, vazhdojnë ankesat e prindërve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Nuk i kemi marrë ende parat për libra, telefonin nuk e hapin” – Nëntë ditë nga fillimi i shkollës, vazhdojnë ankesat e prindërve

    Insajderi
    09 September 2025 - 14:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kanë kaluar nëntë ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, por një numër i prindërve duket se ende nuk i kanë marrë mjetet financiare të premtuara nga Ministria e Arsimit për subvencionimin e librave shkollorë.

    Një nënë, e cila kishte aplikuar me kohë për këtë subvencion, i tha Gazetës Insajderi pretendon se edhe pse aplikimi dhe konfirmimi i tij janë pranuar, paratë nuk i janë ekzekutuar deri tani. Për pasojë, familja e saj është detyruar t’i blejë librat me mjetet e veta.

    “Jemi shumë prindër që nuk i kemi marrë ende të hollat për libra. Aplikimi është pranuar, edhe konfirmimi, por mjetet nuk i kanë qitur. Unë kam aplikuar që në ditën e tretë pas hapjes”, tha ajo.

    Ajo shtoi se nga MASHT nuk ka marrë asnjë shpjegim.

    “As nuk e hapin telefonin, as nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje”, u shpreh F.H.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

    Këtë vit janë shfaqur pakënaqësi të shumta për subvencionimin e librave.

    Shumë prindër përmes rrjeteve sociale kanë deklaruar se shuma e ndarë nuk mbulon të gjitha shpenzimet, duke i detyruar ata të paguajnë pjesën tjetër nga buxheti familjar.

    Sipas MASHT, nga data 15 gusht 2025, prindërit kanë pasur mundësi të aplikojnë për subvencionim përmes platformës e-Kosova. Janë ndarë nga 80 euro për nxënësit e klasave 1–5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, si dhe nga 80 euro për nxënësit e klasave 6–9 për fletoret e punës dhe materialet tjera.

    Ky është viti i tretë që Ministria e Arsimit aplikon këtë metodë të subvencionimit, por praktika vazhdon të kritikohet nga prindërit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark