
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e udhëhequr nga ministrja në detyrë Rozeta Hajdari, rezulton se ka bërë shkelje serioze gjatë vitit 2024. Sipas evidentimit të ZKA, MINT ka shkelur ligjin në disa raste të ndryshme. Ministria nuk e ka raportuar një faturë prej mbi 112 mijë eurosh për një projekt të infrastrukturës. Nuk ka respektuar kriteret ligjore të subvencioneve dhe ka mbajtur pozita udhëheqëse me ushtrues detyre për periudha të gjata — Insajderi sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Mosprocedimi i faturës në vlerë prej 112,226 eurosh:
Raporti i ZKA’së ka evidentuar se Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë nuk e ka përfshirë në Pasqyrat Financiare Vjetore një obligim financiar në vlerë prej 112,226 eurosh.
Sipas raportit, bëhet fjalë për një faturë të pranuar në qershor të vitit 2023 për projektin “Ndërtimi i infrastrukturës në parkun industrial në Budrigë”. Kjo faturë, e cila është paguar vetëm në vitin 2024, nuk është raportuar si detyrim financiar në vitin kur është pranuar, siç kërkohet nga rregulloret financiare në fuqi.
“Fatura nuk është proceduar për pagesë nga personat përgjegjës të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (pa u konsultuar me departamentin e financave), me arsyetimin se operatorit ekonomik (OE) duhet t’i kërkohet lëshimi i ri i faturës me data pas pranimit teknik. OE nuk ka lëshuar faturë të re për shkak se fatura ekzistuese është deklaruar tashmë në Administratën Tatimore përmes librave të shitjes, dhe çdo ndryshim do të cenonte përmbushjen e obligimeve tatimore.
Arsyeja e mos raportimit të obligimit në PFV ishte mos komunikimi i mirë mes drejtorive përkatëse dhe hetzimi nga personat përgjegjës për pagesë të faturës”, thuhet në raport.
Auditori ka rekomanduar që Ministria duhet të sigurojë përmes menaxherit të financave një koordinim më efikas me njësitë përgjegjëse, për prezantimin e faturave të papaguara me qëllim që në PFV të shfaqet vlera e saktë e obligimeve të papaguara.
Menaxhmenti i ministrisë ka shprehur pajtimin me gjetjen.
Mosrespektimi i kritereve të subvencioneve:
Një pikë tjetër e shkeljes, që ka gjetur auditori te MINT është mosrespektimi i kritereve për subvencionimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.
Siç thuhet në raporti, Ministria përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (MINT/KIESA) ka nënshkruar marrëveshje me përfituesit duke autorizuar pagesa të plota (100%) që në fazën e parë të projekteve, ndonëse udhëzimet zyrtare parashohin që fillimisht të paguhen vetëm 80% e shumës së miratuar, ndërsa 20% e mbetur të jepet pas përfundimit të projektit.
Në shtatë raste në vlerë totale prej 54,500 eurosh, pagesat janë bërë në kundërshtim me kriteret e vendosura.
“Marrëveshja e nënshkruar për subvencionimin e blerjes së makinerisë e datës 24.09.2024 midis MINT/KIESA dhe subjektit përfitues ka përcaktuar afatet dhe kushtet për blerjen e makinerisë dhe vendosjen e saj në funksion, dhe specifikonte se ky proces duhet të realizohet brenda një periudhe 6 mujore pas nënshkrimit të marrëveshjes. Në rastin e përfituesit, shuma e nënshkruar në vlerë 35,000€ për blerjen e makinerisë prodhuese/ përpunuese përfituesi kishte realizuar transaksionin financiar me furnitorin para datës së nënshkrimit të marrëveshjes (Transaksioni është kryer në periudhën korrik-2024, kurse marrëveshja është nënshkruar më 24 shtator 2024).
Në shtatë (7) raste në vlerë prej 54,500€, MINT/KIESA kishte nënshkruar marrëveshjet me përfituesit duke autorizuar pagesën e përfituesve në masën 100% që në fazën e parë. Ky veprim është në kundërshtim me udhëzuesin e thirrjes publike për subvencionimin e NVM-ve, i shpallur nga MINT/KIESA në pikën 6 – “Sqarime Shtesë”, paragrafi 5 përcakton që: Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ndërmarrjeve përfituese do t’u transferohen 80% të vlerës së aprovuar të subvencionit, ndërsa pjesa e mbetur, 20%, do t’u bëhet pagesa pas realizimit të plotë të projektit.” Para nënshkrimit të marrëveshjes, përfituesit kane dorëzuar garancinë bankare në vlerë 10% të grantit, në mënyrë që, në rast të dështimit të projektit, mjetet të kthehen në MINT”.
Auditori i ka rekomanduar Ministrisë që duhet të siguroj monitorim efektiv për të parandaluar të gjitha anashkalimet e kritereve të përcaktuara me marrëveshjet dhe udhëzuesin për subvencionim e NVM-ve, si dhe të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që rastet e shkeljeve të konstatuara të merren të gjitha veprimet e nevojshme.
Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre përtej afateve ligjore:
Tjetër gjetje e ZKA’së te Ministria e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë ka të bëjë për ‘mbajtjen e pozitave me ushtrues detyre përtej afateve ligjore’.
Sipas ZKA’së, Ministria e Industrisë ka mbajtur disa pozita të rëndësishme me ushtrues detyre përtej afatit të lejuar me ligj, duke rrezikuar funksionimin e rregullt institucional dhe respektimin e standardeve ligjore për emërimet.
Ligji për Zyrtarët Publikë përcakton se një zyrtar nuk mund të ushtrojë një pozitë si ushtrues detyre më gjatë se gjashtë muaj, me mundësinë e zgjatjes edhe për gjashtë muaj shtesë në raste të veçanta.
Në dy raste të identifikuara nga auditimi, pozitat janë mbajtur me ushtrues detyre që nga shtatori i vitit 2023 deri në maj 2025, duke tejkaluar qartë kufirin maksimal të përcaktuar me ligj.
Sipas raportit, në njërin rast nuk ishte ndërmarrë fare ndonjë proces rekrutimi, ndërsa në rastin tjetër janë hapur dy konkurse, por procesi ka dështuar.
“Ligji për Zyrtar Publik Nr.08/L-197 në nenin 35 pika 3 thekson se zyrtari publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre më gjatë se gjashtë muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë. Në dy raste identifikuam se kishte tejkalim të afatit ligjor për mbajtjen e pozitës si ushtrues detyre. Pozitat mbaheshin me ushtrues detyre që nga hyrja në fuqi e ligjit (shtator 2023), e deri në kohën e auditimit (maj 2025)”, thuhet në raport.
Në të trija rastet Ministria e Tregtisë ishte pajtuar me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Insajderi.org