Policia e Kosovës ka përmendur veprat e rënda penale për të cilat dyshohet Sreqko Sofronijeviq, serbi i arrestuar sot në veri të Kosovës. Ata kanë thënë se veprimet e tij s’janë “protesta paqësore” siç iu është referuar Petar Petkoviq, drejtori i së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë.
Me anë të një komunikate për media, PK’ja thotë se Sofronijeviq dyshohet për vepra penale si: ‘vrasje e rëndë në tentativë’, ‘sulm ndaj personit zyrtar’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’, ‘thirrje për rezistencë, pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, asgjësim apo dëmtim i pronës’ etj, të cilat dyshohet se i ka kryer gjatë vitit 2021.
“Këto veprime të dyshimta kriminale nuk janë protesta paqësore siç pretendohet e raportohet gabimisht”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas PK’së, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Zyra, në krye të së cilës është Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri Albin Kurti “me forcat e tij speciale ka qenë ekzekutuesi i thjeshtë i arrestimit të Sofronijeviqit”.
“Prishtina akuzon Srećko Sofronijeviqin se gjoja ka shkelur të ashtuquajturin rend kushtetues, të ashtuquajturën Kosovë, vetëm sepse ai po mbronte shtëpinë e tij kur ROSU (njësia speciale e policisë së Kosovës) bastisi Zveçanin më 13 tetor 2021 dhe hodhi gaz lotsjellës drejt serbëve dhe më pas ka qëlluar Sreçkon, i cili ishte në rrezik për jetën”, thuhet në reagimin e kësaj zyre. /Insajderi.org/