
Gjykata Speciale ka dënuar me nga katër vite e gjysmë krerët e OVL-së së UÇK-së Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.
Aktgjykimi mban nënshkrimet e kryetarit të trupit gjykues Charles Smith dhe gjykatësve Guénaël Mettraux dhe Christoph Barthe. Mirëpo kryetari trupes gjykues Charles Smith ishte i përfshirë në tentim-ndërhyrjen e rastit ‘Kleçka’ ku bënte presion që të denohej ish komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj.
Kur Malcolm Simmons dha dorëheqje nga EULEX-i dhe lëshoi një numër akuzash për korrupsion dhe keqpërdorime ndaj misionit evropian për sundim të ligjit, ai specifikoi një ngjarje që përfshinte një zyrtar të lartë të EULEX-it në “përpjekje për të ndikuar” në një rast të madh gjyqësor.
Në një intervistë për gazetën franceze Le Monde katër vjet më parë, e cila tronditi misionin në të cilin ai kishte shërbyer si kryegjyqtar, Simmons implikoi një zyrtar të lartë të institucionit për ndërhyrje në rastin “Kleçka”, pa zbuluar identitetin e tij.
Sipas ish-gjyqtarit britanik të EULEX-it, ky “zyrtar i lartë” kishte ushtruar presion për dënimin e Fatmir Limajt, ish-komandantit të UÇK-së që bashkë me nëntë të tjerë gjykohej për krime lufte më 2013.
Katër vjet pas dëshmisë tronditëse të tij për Le Monde, Simmons ia ka parashtruar një dëshmi të detajuar me pretendimet e tij, Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës. Aty ka zbuluar emrat e zyrtarëve të cilët, sipas tij, kanë ushtruar presion në verdikte gjyqësore. Njëri prej tyre shërben tash e tri vjet si gjyqtar në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gazeta Insajderi kishte publikuar dëshminë që britaniku ia ka dërguar shefit të qeverisë përmes një dokumenti 110-pikësh. Seria e dytë e shkrimit të gazetës sjell detaje mbi pretendimet e Simmons për ndërhyrjen e zyrtarëve të lartë të EULEX-it në rastin ‘Kleçka’ dhe në lëndë të tjera.