Numri i së shtunës, i 26 marsit 2016, është i fundit i botuar si gazetë nga e famshmja britanike “The Independent”.
Prej së dielës, gazeta e përditshme britanike është vetëm online. Këtë vendim e kanë marrë drejtuesit e gazetës me arsyetimin se nuk ka asnjë përfitim nga botimi i gazetës së printuar.
“Zhvillimi i teknologjisë dhe lidhja e lexuesve me teknologjinë si diçka të pashmangshme, ka bërë që gazeta e printuar të mos lexohet dhe kësisoj ne nuk e kemi parë të nevojshme të vazhdojmë më tutje me print”, shkruan “The Independent”.
Gazeta është botuar nga viti 1986 kur u themelua si rezultat kundër masave monopoliste që ndërmori Rupert Murdoch ndaj gazetave britanike.
“The Independent” në kohët e saja më të mira është shtypur deri në 400 mijë ekzemplarë dhe me numër të dyfishuar në botimet e të dielave. Ky numër filloi të zvogëlohej gjatë dekadës së fundit dhe gjatë vitit të kaluar (2015) shënoi rënie drastike në më pak se 100 mijë ekzemplarë kurse muajve të fundit në 40 mijë.
Gazetat e të dielave në Britani të Madhe ende janë botime të veçanta. Ato në të shumtën e rasteve kanë rreth 200 faqe të përbëra nga pjesa kryesore ku botohen lajmet, komentet dhe analizat e politikës së brendshme dhe të jashtme kurse kultura, sporti dhe afarizmi dalin në magazina të veçanta por brenda gazetës. Këto gazeta gjatë historisë kanë krijuar influencë dhe efekte në shkencë, kulturë, sport dhe politikë jo vetëm në Britani por edhe në botë.
Daut Dauti, publicisti shqiptar që jeton në Londër, dhe ka shkruar disa herë për “The Independent” gjatë kohës së luftës, ka thënë se ky hap i gazetës është i pritshëm.
“Duket se kësaj tradite i ka ardhë fundi pasi që edhe gazetat tjera me siguri do ta përjetojnë fatin e ‘The Independent’. Bota ka ndryshuar aq shumë sa që duket se nuk është më e interesuar për lexime esenciale dhe jashtë mjeteve të tyre elektronike. Mua më duhet ta mbaj mend gazetën ‘The Independent’ edhe pse në te kam shkruar vetëm tri herë për të sqaruar problemin e Kosovës dhe të refugjatëve shqiptarë. Por, një herë, në ‘Front Page’ (faqen e parë). ‘The Independent’ duhet të mbahet në mend edhe për qëndrimin, kryesisht korrekt, që pati gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Dauti në Facebook.