Vëllau i deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, i cili është shpërblyer me grant 100 mijë euro prej Ministrisë së Bujqësisë, ka dal me një reagim.
Blerim Pacolli, tha se ka fituar 63 mijë euro pasi ka aplikuar në projektin për shtallë dhe lopë qumështore.
“Unë kam fituar grant por nuk i kam fituar 100.000 euro siç po shkruhet nëpër portale. Kam aplikuar me projekt për shtallë për lopê qumshtore, vlera e të cilit arrinë në 100.000 euro. Ministria mbulon 65% shumës së projektit ndërsa unë me financat e mia mbuloj 35% të vlerës. Kush do që din pak matematikë të nivelit fillestar e kupton se vlera që Ministria mbulon projektin është 63.000 euro asnjë cent më shumë”, ka shkruar ai.
Sipas tij për të dal fitues nuk ka ndikuar pozita e motrës së tij si deputete nga VV.
“Grantin e ka fituar sepse e ka motrën deputetet Nuk qëndron. Të gjithë ata fermerë që kanë aplikuar sikurse unë dhe kanë plotësuar kriteret e kanë fituar grantin dhe nuk kanë pasur nevojë të ndihmohen nga dikush që njohin. E kanë fituar sepse e kanë merituar. Njësoj edhe unë kam aplikuar. Kam aplikuar si fermer i lirë e as nuk kam llogaritur në Fitoren e as nuk e kam informuar se do të aplikoj. Unë jam i barabartë me fermerët tjerë pavarësisht se kënd e kam motër apo vëlla dhe kam pasur të drejtë të aplikoj prandaj edhe kam aplikuar. E kam fituar grantin sepse i kam plotësuar kriteret jo sepse e kam Fitoren motër. Dyshimet nuk mund t’ua hjeku unë e as nuk e kam ndërmend të tentoj ta bëjë një gjë të tillë”, tha Pacolli.