
Dëshmitari, Ismet Tara në Gjykatën Speciale ka mohuar të ketë dhënë dëshmi për UNMIK-un që UÇK-ja ka vrarë kolaboracionistët dhe të burgosurit e saj.
Gjatë seancës në Hagë, Tara shprehu shqetësim kur avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, i paraqiti një dokument që përmbante këto akuza, duke kërkuar që ky dokument të hiqej, pasi nuk mund ta shihte.
“Ismet Tara nuk ka asnjë dëshmi që dikush është vrarë… nuk i ka ndodhur Ismet Tarës që të japë dëshmi të rreme atëherë. Hiqma këtë dokument se nuk mund ta shoh më, nuk mund ta shoh më. Ti mund të bësh pyetje sa dush, por kur i dedikohesh këtij dokumenti… unë po them që as nuk i kam dhënë as nuk e kam takuar. Ti prap ‘a mund të jetë ajo e saktë, a mund të mos jetë’. Por duhet të vijë ajo ta pyesësh atë a ka qenë e saktë a jo”, tha ai.
Tara u shpreh se nuk ka asnjë dëshmi që të konfirmojë akuzat për vrasje të kolaboracionistëve dhe të burgosurve, dhe mohoi të ketë thënë se UÇK-ja ka përdorur praktika të tilla.
“Nuk kam thënë asnjëherë se UÇK-ja ka vrarë kolaboracionistët ose ka djegur trupat e tyre”, deklaroi ai.
Dëshmitari gjithashtu mohoi se është takuar me Ana Vanozin nga UNMIK për të dhënë këto deklarata, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë komunikim me të.
“Nëse ajo më njeh, unë nuk e njoh”, tha Tara.
Lexo edhe: