Eurisa Rukovci
Sociologja feministe Shulamit Reinharz e përshkruan zërin si “ta kesh aftësinë, mjetet dhe të drejtën për ta shprehur veten, mendjen dhe vullnetin personal. Nëse një individ nuk i ka këto aftësi, mjete ose të drejta, ai ose ajo mbetet i heshtur”.
Ky konceptim nxjerr në pah strukturat e pushtetit shoqëror që privilegjojnë disa zëra ndërsa përjashtojnë të tjerët. Të flasësh dhe të dëgjosh do të thotë të kesh pushtet mbi jetën e dikujt. Të heshtësh do të thotë të të mohohet kjo forcë.
Dje Vasfije Krasniqi-Goodman u deklarua se individë të ndryshëm kanë tentuar ta heshtin rreth temës për të cilën ajo theu tabu dhe u bë zë i shumë grave. Për më tepër është deklaruar se individët po këshillohen të mos flasin me të. Po tentohet të heshtet zëri i tyre që duan të flasin me të dhe kësisoj vetë zëri i saj dhe i kauzës së saj.
Stigmatizimi rreth çështjes së dhunës seksuale të luftës vazhdon të mbetet tabu në shoqërinë tonë, pavarësisht iniciativave të ndryshme që tentojnë ta ndryshojnë këtë realitet. Kur të mbijetuarit e përdhunimit seksual u ekspozohen gjykimeve që i fajësojnë të mbijetuarit, mund të ndodhë viktimizim i dytë ndaj tyre.
Reagimet si kjo që e ka përshkruar Vasfija kanë funksion heshtës dhe kanë funksion të viktimizimit të dytë të tyre.
Reagimet, që në kulturën tonë janë predominante, si fajësimi, mohimi i ndihmës apo këshillimi e shpesh herë edhe presioni që të mos flitet për këto përvoja, shkatërrojnë në mënyrë efektive secilën përpjekje për të kërkuar drejtësi.
Pavarësisht vëmendjes së shtuar të bashkësisë ndërkombëtare ndaj mosndëshkimit për krimet e dhunës seksuale, përgjegjësia mbetet e pakapshme. Në shumicën e vendeve, të mbijetuarit shpesh hezitojnë të raportojnë përvojat e tyre për shkak të stigmës, frikës nga hakmarrja ose refuzimit nga familjet ose komunitetet e tyre. Një realitet i tillë është edhe në Kosovë.
Si shoqëri duhet që kolektivisht të konsolidohemi që të mos kontribuojmë në riviktimizimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe kjo nuk mund të bëhet duke i heshtur njerëzit që gjejnë forcën për folur rreth asaj që iu ka ndodhur.
Pa Marte Tunajn, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyhrete Sylejmanin, nuk do të munden të fuqizohen të mbijetuarit e tjerë të dhunës seksuale dhe nuk do ta kenë mundësinë të kalojnë metamorfozën prej të të qenit objekt i dhunës në pjesëmarrës aktivë të luftës për drejtësi.
Çdo tentativë që synon heshtjen e grave si Vasfija synon harresë kolektive të krimeve që janë bërë ndaj civilëve në Kosovë.