Reagime, ankesa e akuza janë ngritur drejt pushtetit të LDK’së në Lipjan. Banorët e opozita kanë akuzuar kryetarin Imri Ahmeti se po ua shtron asfalt rrugët deri në oborr e garazha, personave të afërt me pushtetin e tij. Nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje.
Gazeta Insajderi
Pushteti i Imri Ahmetit, është duke u akuzuar se po u shtrojnë asfalt personave që janë të afërt me partinë e LDK’së në Lipjan.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së në Lipjan, Arsim Jashari, për Insajderin tha se janë duke u shtruar me asfalt rrugët deri në oborr, e garazh.
Ai deklaroi rreth një rasti ku shihet edhe në foto se është shtruar me asfalt deri në garazhen e shtëpisë.Jashari tha se pronari i saj punon në komunë.
“Ky qe ju ka shtru garazha punon në komunë dhe është LDK i përbetuar”.
Tutje ai tregoi edhe për një rast tjetër.
Sipas fotos shihet rruga e prerë, njëra e shtruar me asfalt deri tek shtëpia, e ana tjetër jo.
“Njëjtë edhe me këtë rrugën, është kryetar fshati nga LDK’ja”, tha ai për Insajderin.
Rreth kësaj çështje Jashari shtoi se janë ankuar edhe banorët në komunë, mirëpo vetëm janë injoruar.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Arsim Jashari tha se ky veprim i komunës, është duke ndodhur kudo në Lipjan.
Madje, për këtë ai ka hedhur akuza ndaj pushtetit të Imri Ahmetit, se po ndodh për vota.
“Nuk po shkon vota lirë jo”, ka shkruar ai.
Reagim ka pasur edhe nga vetë banorët.
Një banor i komunës së Lipjanit përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se nevojat e qytetarëve janë duke u injoruar, vetëm pse nuk janë përkrahës të Imri Ahmetit.
“Qeverisja e LDK-së në Lipjan, ka treguar një sjellje injoruese ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Kjo sjellje përbën një abuzim publik dhe një mospërfillje të hapur të kontributit tonë si taksapagues.
“E vetmja rrugicë publike që u la në këtë gjendje është kjo në Kraishtë, respektivisht në Sheshin e “Lirisë” e që na e ka vështirësuar edhe hyrjen në dyer të oborrit! Vetëm e vetëm që nuk përqafojmë vijën politike të Kryetarit të Komunës z.Imri Ahmeti!“, ka shkruar Bajrami.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Lipjanit, por të njëjtit deri në publikim e këtij teksti nuk janë përgjigjur./Insajderi.org/