Rreth 150 serbë përfshirë edhe kryetaren e Gjykatës Themelore, Lilana Stevanoviq, janë larguar nga gjykata në veri.
Pas dorëheqjeve të kryetarve të komunave serbe, deputeteve të Listës Serbe e policëve edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje.
Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.
Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, në gjykatën në Mitrovicë të Veriut, një pjesë e stafit të administratës kundërshtoi të dorëhiqet, duke thënë se ata “nuk pyeten për asgjë” dhe se “po na thuhet se çfarë të bëjmë”.
Kryetarja e Gjykatës Themelore, Lilana Stevanoviq, tha se “kolegët shqiptarët kanë marrë përsipër lëndët që janë të natyrës urgjente”.
“Ne u përpoqëm t’iu ndihmonim, ne dhe kolegët tanë kurrë nuk kemi pasur probleme, e kemi bërë punën tonë në mënyrë profesionale, jemi socializuar, kemi bashkëpunuar”, tha ajo.
Stevanoviq shtoi se rreth 150 serbë janë larguar nga gjykata.
“Sot, gjyqtarët që nuk kanë ardhur dje për të dorëzuar dorëheqjen në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, e kanë bërë këtë përmes emaileve zyrtare. Kolegët tanë, gjyqtarë dhe punonjës administrativë shqiptarë, mbeten në gjykatë, dhe i gjithë stafi administrativ dhe gjyqtarët serbë kanë dhënë dorëheqje”, tha më 7 nëntor gjyqtari në Mitrovicën e Veriut, Nikolla Kabashiq.
“Tani presim që të dorëzojmë lëndët dhe pajisjet që kemi marrë”, shtoi ai.
Ndërkaq, punonjësit e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të hënën nuk janë paraqitur në punë, konfirmuan për REL-in, zyrtarët e kësaj prokurorie.
“Deri në këto momente [ora 10:00], asnjë zyrtar i këtij institucioni nga radhët e komunitetit serb nuk ka dalë në punë”, tha Valon Preteni, zëdhënës i kësaj prokurorie.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës përfshin territorin e Mitrovicës së Jugut, të Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrisë.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka 19 prokurorë dhe 65 punëtorë staf mbështetës. Nga ta janë 10 prokurorë serbë dhe 22 punonjës administrativë e staf mbështetës.
Për shkak të situatës në veri, Këshilli Gjyqësor i Kosovës pritet të mbajë një takim të jashtëzakonshëm mesditën e së hënës.
Sipas zyrtarëve, në këtë takim do të vlerësohet situata e krijuar në sistemin e drejtësisë dhe do të vendoset se si të veprohet në të ardhmen.
Kurse në Këshillin Prokurorial të Kosovës, zyrtarët thanë se më vonë gjatë ditës, përmes një komunikate do të bëjë të ditur për hapat e mëtejme.