
Prekë Tunës, shef i Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, dhe Nexhat Gutiqit, shef i Sektorit Rajonal për Operativ në Pejë, iu është caktuar masa e “Ndalimit të afrimit të personit apo vendit të caktuar”. Të njëjtit pezullohen nga puna.
“Kërkesa e Prokurorisë ka qenë që me ju ndalu me iu afru personit apo vendit të punës edhe kjo masë është aprovu prej Gjykatës, saktësisht gjyqtarit të procedurës paraprake. Gjithashtu, është edhe masa e pezullimit nga puna- edhe për këtë është aprovu kërkesa”, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Ndalimi i dy eprorëve të Policisë në Pejë ishte konfirmuar nga prokurorja Valbona Disha – Haxhosaj.
“Prokuroria Themelore në Pejë është e përkushtuar të zbardhë të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar drejtësi. Nuk do të tolerojmë asnjë shkelje të ligjit, pavarësisht nga pozita apo funksioni i të dyshuarve”, ka konfirmuar prokurorja Valbona Disha Haxhosaj.
Të dy eprorët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.