Në takimin që e kishte më herët kryetari i Kuvendit Kadri Veseli me ndihmës-sekretare amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland, ndonëse takim me dyer të mbyllura, bëhet e ditur se aty u bisedua për proceset aktuale nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.
Në takim Nuland ka theksuar se Qeveria amerikane vazhdon ta mbështesë fuqishëm Kosovën në ecjen e saj përpara. Në këtë kontekst, ajo ka shtuar se forcimi i sundimit të ligjit, i sistemit të drejtësisë dhe luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, janë thelbësore për përparimin e Kosovës, ka njoftuar zyra për media e Kuvendit të Kosovës.
Kurse kreu i Kuvendit, Veseli ka theksuar se mbetet i përkushtuar tërësisht në agjendën e forcimit të shtetit ligjor në Kosovë, si dhe në reformat e domosdoshme institucionale, që kanë të bëjnë me agjendën euro-atlantike të vendit.
Gjithashtu, në njoftimin e Kuvendit thuhet se në takim u bisedua edhe për transformimin e FSK-së, si proces i domosdoshëm në kuadër të forcimit të shtetit të Kosovës.