Nuland: Ndërmerrni hapa para vjeshtës, ruajeni trendin pozitiv të zhvillimit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Nuland: Ndërmerrni hapa para vjeshtës, ruajeni trendin pozitiv të zhvillimit

    Insajderi
    10 July 2016 - 12:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nënsekretarja amerikane e Shtetit të ShBA-së, Victoria Nuland, gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ka thënë se Kosova është mirë që të bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës, në mënyrë që ta ruajë trendin e zhvillimit pozitiv që e ka.

    Ajo gjithashtu ka shtuar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet prioritet drejtësia, duke i përshëndetur arritjet e Kosovës, veçanërisht në luftimin e korrupsionit.

    Nuland ka thënë se vëmendja e BE-së është zhvendosur nga rajoni i Ballkanit, ndërsa ShBA-të në vjeshtë do të jenë të përqendruara në zgjedhjet presidenciale. Prandaj, sipas saj, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që vetë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konsolidimin e shteteve të tyre, por edhe të marrëdhënieve të tyre, bënë të ditur zyra për media e Presidencës.

    Ndërkaq, presidenti Thaçi i ka thënë asaj e institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuar në prioritetet tona të përbashkëta.

    Sipas tij, po punohet në mënyrë që edhe të akuzuarit të mos i ikin përgjegjësisë dhe të marrin dënimin e merituar nga drejtësia.

    Duke folur për zhvillimet në Kosovë, Thaçi tha se skena politike tani i ka tejkaluar pamjet e shëmtuara që janë parë më herët dhe shtoi se është koha që vëmendja të kthehet tek vendimet e rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

    “Demarkacioni me Malin e Zi duhet të miratohet nga parlamenti sa më parë. Pa të drejtë është kthyer në një çështje politike që po dënon pa të drejtë qytetarët e Kosovës duke ua vonuar liberalizimin e vizave, por duke e vonuar edhe konsolidimin e shtetit”, u shpreh presidenti Thaçi.

    Thaçi më tej ka thënë se Kosova promovon marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke përfshirë edhe Serbinë. Ai folur edhe për zhvillimet në fushën e sigurisë, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, por edhe në përmbylljen e procesit të ndërtimit të arkitekturës së sigurisë, përfshirë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark