Ndihmës-sekretarja amerikane e ShBA-së, Victoria Nuland, edhe në takim me kryeministrin Isa Mustafa, ia ka bërë të qartë proceset të cilat i përkrahë ShBA-ja dhe kërkesat të cilat duhet t’i plotësojë Kosova për ta arritur perspektivën evropiane.
Ajo theksoi rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives euro-integruese të Kosovës, ka bërë të ditur zyra e kryeministrit.
Nuland gjithashtu vlerësoi reformat e ndërmarra në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër terrorizmit si dhe shprehu përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” si dhe inkurajoi që të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka njoftuar atë për progresin e arritur në proceset euro-integruese, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e shtetit ligjor.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa tha se institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga ShBA-ja, do ta adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së.
Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës.
Ai po ashtu theksoi interesimin që të punohet në riformatimin e Qeverisë, i cili do të përfshijë zvogëlimin e kabinetit, përfshirjen e njerëzve të rinj si dhe rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e proceseve reformuese./Insajderi.com