Obama: Jepini Trumpit kohë - mos e supozoni më të keqen - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Obama: Jepini Trumpit kohë – mos e supozoni më të keqen

    Insajderi
    20 November 2016 - 12:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, e bëri në Amerikën Latine atë që provoi ta bënte në Evropë; iu tha qytetarëve të shqetësuar që të mos nxjerrin përfundime negative për njeriun që dikur e kishte cilësuar si të paaftë për të shërbyer në Shtëpinë e Bardhë, presidentin e zgjedhur Donal Trump.

    Në ndalesën e fundit lamtumirëse të turit ndërkombëtar, që përfshiu Greqinë dhe Gjermaninë, Obama vazhdoi përpjekjen e tij për t’i zbutur ankthet që kur afaristi republikan, Trump, mundi rivalen demokrate, Hillary Clinton, ish- sekretare e Shtetit, në garën presidenicale

    “Porosia ime për ju… dhe porosia që e kam dërguar në Evropë është: mos paragjykoni më të keqen”, i tha Obama një grupi të të rinjve gjatë një sesioni të pyetje-përgjigjeve, në Peru.

    “Prisni deri sa të vendoset administrata: ajo aktualisht po i bën bashkë politikat e saj dhe pastaj mund të gjykoni nëse është në përputhje me interesat e bashkësisë ndërkombëtare për të jetuar në paqe dhe në pëparim bashkërisht”, njofton AP.

    Trump i fitoi zgjedhjet pasi premtoi të ndërtonte një mur në kufirin e SHBA-së me Meksikën, të kthejë prapa marrëveshjet tregtare dhe të ndalojë përkohësisht hyrjen e myslimanëve në SHBA.

    Obama provoi të zbuste frikën duke u zotuar për një bartje të qetë të pushtetit dhe duke shprehur optimizmin se presidenti i zgjedhur do të largohet nga retorika e ashpër e fushatës kur të përballet me realitetin e detyrës.

    “Është me rëndësi për secilin në botë që të mos bëjë gjykime të menjëhershme por t’i japë presdentit të zgjedhur një shans që ta bëjë ekipin e tij bashkë, të vlerësojë çështjet, të përcaktojë politikat, sepse siç e kam thënë gjithnjë: fushata nuk është gjithmonë e njëjtë me atë se si qeveriset”, tha Obama.

    Ndërkohë, në SHBA, presidenti i zgjedhur Donald Trump, ka takuar Mitt Romneyn, një ish-kandidat republikan për president të SHBA-së, që ka humbur më 2012 në garë me Barack Obamën, dhe që ndërkohë ka qenë kritik edhe i fushatës së Trump.

    Por, Trump nuk zbuloi asnjë emërim në fillim të fundjavës – dhe as nuk la të kuptohet nëse Romney do të mund të luante ndonjë rol në administratën e re, shkruan Reuters.

    Romney është përfolur edhe për mundësinë që të jetë sekretar i Shtetit në administratën Trump

    Presidenti i zgjedhur, ndërkaq, të dielën do të takojë edhe guvernatorin e New Jersey, Chris Christie, ish-kryebashkiakun e New Yorkut, Rudy Giuliani, dhe sekretarin e shtetit të Kanzas, Kris Kobach. (REL)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Botë
    10 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark