Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se SHBA-ja dhe aleatët arabë mbeten të bashkuar në përpjekjet për të shkatërruar grupin militant Shteti Islamik (IS) dhe për të stabilizuar rajonin e Lindjes së Mesme, të shkatërruar nga lufta.
“Mbetemi të bashkuar në luftën tonë për të shkatërruar Shtetin Islamik, i cili është një kërcënim për të gjithë ne”, ka thënë Obama.
Ai i ka bërë këto komente në Riad, pas samitit të SHBA-së dhe Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e Gjirit kanë rënë dakorf për nevojën e gjetjes së një zgjidhje politike për Sirinë.
Obama ka thënë se e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza është përmes një qeverie tranzicioni dhe largimit të presidentit të tanishëm të Sirisë, Bashar al Assad.
Obama, megjithatë, ka pranuar se mes Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të Gjirit ekzistojnë mosmarrëveshje, që ai i ka quajtur teknike, për Iranin.
Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit përfshin Bahrejnin, Kuvajtin, Katarin, Omanin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. /rel