Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar rastin e parë të vdekjes së një personi nga gripi i shpendëve.
Bëhet e ditur se viktima ishte 59 vjeçar me shtetësi meksikane dhe është rasti i parë i konfirmuar i gripit të shpendëve në botë dhe i pari me infeksion H5 i raportuar në Meksikë.
Viktima nuk kishte pasur ekspozim ndaj shpendëve apo kafshëve, sipas OBSH-së.
Viruset si gripi i shpendëve në përgjithësi nuk i prekin njerëzit, por ka raste të rralla të tij, shkruan skynews.
Sipas Qendrës Amerikane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC), viruset H5N1, H7N9 dhe H5N6 kanë qenë përgjegjës për shumicën e infeksioneve njerëzore deri më sot.
CDC shtoi se infeksionet kanë variuar nga mungesa e simptomave e deri në raste të rënda që kanë shkaktuar vdekje.
Transmetimi nga njeriu te njeriu është jashtëzakonisht i rrallë, megjithatë monitorimi i gripit të shpendëve është i rëndësishëm në rast se kjo ndryshon dhe ai e fiton aftësinë për t’u përhapur më lehtë.
Së fundmi, Victoria e Australisë ka zbuluar llojin H7N3 në tre ferma dhe H7N9 në një fermë të katër. Ndërkohë, dhjetëra shtete amerikane kanë raportuar infeksione H5N1 që nga fundi i marsit, me tre raste ku janë të prekur edhe njerëzit.
Ndryshe, ky thuhet të jetë shqetësim mjaft i madh pasi besohet se është hera e parë që virusi përhapet nga një gjitar te njeriu. /Telegrafi/