Janë certifikuar nga Oda Zejtare e Dortmundit 12 pjesëmarrës në trajnimin “Menaxheri i Ndërmarrjes 2016”, i cili ka pasur për qëllim trajnimin e ndërmarrësve kosovarë, me anë të instrumenteve dhe metodave më të mira nga praktika e ndërmarrësisë gjermane, dhe këshillimit gjatë vizitave në ndërmarrjet kosovare.
Trajnimi ishte i organizuar nga Akademia e Ndërmarrësisë së Kosovës, e themeluar nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim BMZ të Qeverisë së Gjermanisë, së bashku me partnerët e saj, siç është GIZ, Oda e Zejtarëve në Dortmund dhe Oda Ekonomike e Kosovës, i cili ka zgjatur gjashtë muaj me radhë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.
Drejtuesi projekteve ndërkombëtare i Odës Zejtare të Dortmundit, Klaus Dieter Werthmann, ka thënë se gjatë programit, janë trajtuar disa tema që do të ju shërbejnë bizneseve kosovare si forma konkrete për një bashkëpunim të mirëfilltë në mes tyre dhe ato gjermane
“Sot e përfunduam ciklin e dytë të bashkëpunimit me ndërmarrjet kosovare dhe kjo është rruga jonë më e mirë e mundshme për të arrit synimet tona në bashkëpunim më ndërmarrje kosovare”, ka thënë ai.
Ndërsa Koordinatori i Projekteve të Partneritetit për Arsim Profesional dhe për Akademi të Ndërmarrësisë në Kosovë, Franc Musolli, ka folur për interesimin e madhe të ndërmarrësve kosovarë për të qenë pjesë e këtij projekti.
“Unë shpresoj që do të kemi vazhdimisht jo vetëm kërkesa por edhe punë të vazhdueshme nga ndërmarrësit, palët kosovare pasi që këta janë në një udhëkryq të madh dhe duhet të fillojnë të mendojnë në investime reale, në profesionalizmin e punëtoreve, të menaxherëve, ose të forcave prodhuese, po ashtu edhe në bartje e dijës nga Evropa Perëndimore këtu”, ka thënë Musolli.
Po ashtu, është planifikuar edhe vizita e pjesëmarrëse në Gjermani, ku shumica nga ta veçse e kanë shprehur interesimin për të marrë pjesë, e cila do të realizohet më 27 tetor 2016, kurse më 20 deri më 23 nëntor, kompanitë gjermane do të vizitojnë Kosovën./Insajderi.com.